Ankesat për tenderët, jo më brenda APP-së
Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila është autoriteti që shpall, organizon dhe mbikëqyr bërjen e tenderëve në shkallë kombëtare, nuk do të merret më me shqyrtimin e ankesave. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi pas miratimit të ligjit të ri "Për Prokurimin Publik". Kryeministri tha se me këto ndryshime, sistemi i prokurimeve plotësohet në mënyrë të ndjeshme. Parashikohet ngritja e një grupi të veçantë, një lloj komisioni tjetër, i cili do të merret vetëm me shqyrtimin e ankesave. Kjo është një kërkesë e Komisionit Europian. "Do të jetë një komision i veçantë, një lloj senati, i cili do të ketë të drejtën e shqyrtimit të ankesave dhe të verdiktit ndaj ankesave përfundimtare në krahun administrativ, sepse krahas saj, sipërmarrësit kanë të drejtë t‘i drejtohen gjykatës. Kjo e drejtë nuk u është hequr në asnjë rast atyre", tha Berisha. Prej 6 muajsh Shqipëria aplikon në masën 100 për qind tenderët online. Pas saj vjen Kili me 85 për qind të aplikimeve, kurse mesatarja në Bashkimin Europian është rreth 40 për qind.