E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: Lumenjtë do t‘i kthejmë në HEC-e

Qeveria synon që çdo burim ujor ta kthejë në interes të sektorit energjetik. Për kryeministrin e vendit, prioritet vazhdon të mbetet ndërtimi i sa më shumë hidrocentraleve, pa prishur ekuilibrat ekologjikë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u diskutua plani për ndërtimin e HEC-eve të vogla, për të garantuar prodhimin e pandërprerë të energjisë elektrike. "Në këtë vend malor dhe me ujëra të bollshme, ne si qeveri duhet të nxisim me stimuj konkret ndërtimin, mundësisht, të mijëra hidrocentraleve të vogla, pasi të mesmet dhe të mëdhatë nuk kanë probleme", tha Berisha. Më parë, qeveria duhet të shqyrtojë të gjitha sistemet e vaditjes ekzistuese dhe ato që do të ngrihen, në mënyrë që të funksionojnë me dy qëllime. Pavarësisht dëshirës për të ndërtuar HEC-e, sektori privat po has në vështirësi për të marrë kredi nga bankat. Për këtë qëllim, Berisha tha se duhet të garantohen stimuj për të zbutur kredinë për sektorin e ndërtimit në energjetikë. Deri tani janë miratuar më shumë se 130 kontrata HEC-esh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›