Ankesë tek Ina Rama, pranohet avokati i Dajtit
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda legjitimoi dje pas disa ditë refuzimi, avokatin që do të mbrojë Dritan Dajtin në procesin gjyqësor ndaj tij për vrasjen e katër oficerëve të policisë në Durrës. Avokati Arben Qeleshi ka marrë dje miratimin e Prokurorisë për të mbrojtur 38-vjeçarin e akuzuar për masakrën e Durrësit. Sipas disa burimeve, mendohej se ditën e djeshme avokati kishte marrë takim me klientin e tij që mbahet në Spitalin e Burgjeve në Tiranë, i plagosur me tre plumba. Por vetë avokati Qeleshi mohoi këtë fakt, duke thënë se dje ndodhej jashtë Tiranës për angazhime të tjera dhe se ditën e sotme mund të zhvillojë një takim me klientin e tij Dritan Dajti. Të hënën e javës që shkoi, Dorela Dajti, bashkëshortja e Dritan Dajtit, dorëzoi në Prokurori një prokurë të firmosur nga ajo dhe familjarët, që kërkonin Arben Qeleshin si avokat për të arrestuarin 38-vjeçar. Mirëpo për një javë Prokuroria e Krimeve të Rënda refuzoi, pasi avokati në fjalë mbronte në të njëjtin proces edhe Erges Xhoxhin, kunatin e Dajtit. Nga Prokuroria, madje pati deklarime se Qeleshi nuk do të legjitimohej si avokat i të akuzuarit për vrasjen e katërfishtë, mirëpo familjarët u ankuan në Prokurorinë e Përgjithshme. Të paktën dy kërkesa të dërguara në Prokurori për pajisjen e Dajtit me avokat dhe lejimin e takimeve të tij me mbrojtësin ligjor, janë dërguar edhe në adresë të kryeprokurores Ina Rama. Gjithçka ka ndryshuar dje në orët e para të ditës, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda legjitimoi avokatin e Dajtit, duke i hapur kështu mundësinë marrjes së deklarimeve të tij lidhur me masakrën e 7 gushtit në Durrës, ku u ekzekutuan me armë oficerët Fatos Xhani, Kastriot Feska, Sajmir Duçkollari dhe Altin Dizdari. Pajtimi i avokatit mbrojtës pritet t’i hapë rrugë marrjes së deklarimeve të Dritan Dajtit lidhur me përplasjen me armë të ndodhur me policinë gjatë arrestimit të tij në afërsi të pistës “Iliria” në Durrës. I shumëkërkuari fillimisht nuk u mor në pyetje për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej si pasojë e plagosjes me tre plumba në trup. Më pas, edhe pse gjendja e Dajtit u përmirësua, administrimi i dëshmisë së tij në dosje qe i pamundur, pasi ai refuzoi të fliste pa praninë e një avokati të zgjedhur prej tij. Ndërkohë Prokuroria refuzoi për mëse një javë të pranonte mbrojtësin e caktuar nga familja, për shkak se ai kishte prokurë edhe nga kunati i Dajtit, shtetasi Erges Xhoxhi, i arrestuar me të kërkuarin ditën e vrasjes së katër policëve. Për shkak të lidhjeve familjare mes dy të arrestuarve, Prokuroria dyshoi se mbrojtja nga i njëjti avokat mund të dëmtonte hetimin. Mirëpo pas mbërritjes së dy ankesave në Prokurorinë e Përgjithshme, grupi i hetimit ka ndryshuar qëndrim duke legjitimuar dje avokatin e Dajtit. Organi i akuzës është në pritje të 12 ekspertizave për armët e përdorura në ngjarje nga efektivat e policisë dhe nga vetë i kërkuari. Ekspertimi mjeko-ligjor mbi viktimat e ngjarjes, ku bëjnë pjesë katër oficerët dhe Ledion Mara, miku i Dritan Dajtit, pritet të mbërrijë në prokurori brenda pak ditëve. Nga ky ekspertim sipas hetuesve do të mësohet një pjesë e mirë e episodeve ende të paqarta të mënyrës si ka rrjedhur ngjarja e rëndë e 7 gushtit në Durrës. Mjekësisë ligjore i është kërkuar të hartojë një raport të imtësishëm në drejtimin që ka pasur secila prej predhave që qëlloi viktimat, ndërsa i njëjti verifikim është bërë edhe në vendin e ngjarjes me shenjat e plumbave të mbetura gjatë shkëmbimit të zjarrit. tr.so