Lonçareviç i bën “gjyq” Tiranës
Leonard Karaj
Nuk e ka karpërdirë aspak humbjen që në ndeshjen e parë të kampionatit shqiptar, Ilija Lonçareviç në drejtim të Tiranës. Tekniku ka kritikuar ashpër lojën e skuadrës së tij ndaj Flamurtarit duke iu kundërvënë më së shumti lojtarëve titullarë. Këtë gjë kroati e ka bërë gjatë analizës 45 minutëshe që i ka bërë këtij takimi dje para seancës stërvitore. Lonçareviç ka theksuar se realisht nuk ka qenë skuadra e Flamurtarit ajo që ka fituar ndeshjen, por pikërisht 11-shi titullar i bardhebluve të cilët kanë zhvilluar një nga takimet më të dobëta. Madje, kroati nuk ka marrë për justifikim as faktin se skuadra e tij iu desh të luante për më shumë se një pjesë loje me dhjetë futbollistë për shkak të daljes me karton të kuq të mbrojtësit Andi Lila.
Trajneri
Vetullngrysur, kokulur e pa përshëndetur askënd Lonçareviç është futur në dhomat e zhveshjes së fushës “Skënder Halili” me një synim të qartë në kokë. Të parëve që iu kundërvu ishin pikërisht “senatorët” e ekipit, ata që realisht duhet të mbajnë edhe peshën kryesore të kësaj Tirane. Trajneri debatoi me ta (Muka, Dabulla, Muzaka, Nallbani, Devolli, Abraham, etj) për më shumë se 25 minuta ku nuk munguan edhe tonet e larta. Sipas zëvendësit të tij tema e debatit ka qenë pikërisht loja e dobët e skuadrës. “Trajneri u qartësoi lojtarëve se një ndeshje të tillë nuk do ta toleronte më kurrë. Flamurtari ishte po ajo skuadër e një jave më parë ndaj nuk kishte pse skuadra të tregonte dy fytyra, një tjetër në finalen e Superkupës dhe një tjetër në ndeshjen e kampionatit”, ka treguar më pas përkthyesi dhe njëkohësisht zëvendës/trajneri i ekipit bardheblu, Sunaj Keçi.
Analiza
Lonçareviç nuk ka pranuar ansjë lloj justifikimi nga futbollistët e tij, edhe kur është tentuar që të mbetej me dhjetë lojtarë. “Nuk ishte justifikim fakti që ne luajtëm me 10 lojtarë dhe Flamurtari me të gjithë ekipin. Edhe gjatë kësaj periudhe skuadra iu afrua disa herë portës kundërshtare duke goditur por problemi qëndroi te konkretizimi. Shumë sulme dështuan edhe për faktin se shumë lojtarë tentuan drejt një loje individuale, e cila nuk i çoi në rezultatin e kërkuar. Ndaj trajneri u ka tërhequr vëmendjen të gjithëve e ka kërkuar menjëherë reagim në ndeshjen e kësaj jave ndaj Skënderbeut”, ka pohuar Keçi. Pas analizës me lojtarët më me influencë tek kjo skuadër, tekniku kërkoi që të mblidhte të gjithë skuadrën në dhomat e zhveshjes për t’u raportuar edhe atyre pak a shumë atë çka ai diskutoi me “senatorët”.