E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi i Sindikatave: Takim me Berishën për pronat tona

 

Bashkimi Sindikatave të Pavarura i kërkon takimit Kryeministrit Sali Berisha për t’u njohur me vendimin e marrë në lidhje me shtetëzimin e pronave turistike në shkallë vendi. Këshilli i Bashkimit të Sindikatave është mbledhur dje për të diskutuar në lidhje me vendimin më të fundit të Qeverisë për të shtetëzuar pronat që dikur kanë qenë të sindikatave. Kreu i BSPSH-së, Gëzim Kalaja në një prononcim për median bën të ditur se do t’i kërkohet një takim zyrtar kreut të Ekzekutivit për arsyet e këtij vendimi. “Ne jemi kundër një vendimi të tillë, pasi Bashkimi i Sindikatave të Pavarura ka derdhur miliona euro investime në disa prej kampeve, që kemi pasur në pronësi dhe janë në gjendje të mirë. Ne punojmë për një vendim për të kontestuar me anën e juristëve tanë”, deklaroi Kalaja për mediat. Sipas tij, kryeministri në mbledhjen e Qeverisë nuk foli për ligjin e vitit 1998, i firmosur me dekret nga ana e presidentit të atëhershëm Rexhep Meidani, i cili ia riktheu këto prona sindikatave. “Ne kemi gati kundërshtimin për një vendim të tillë, pasi përfaqësuesit tanë po punojnë për një gjë të tillë. Mendoj se një vendim i tillë ndërmerret për të demoralizuar dhe asfiksuar lëvizjen sindikaliste në Shqipëri”, theksoi Kalaja. Kundër një vendimi të tillë doli edhe Konfederata e Sindikatave të Pavarura, në të cilën e cilësoi projektligjin e Qeverisë si të padrejtë. Kreu i këtij organizmi, Kolë Nikollaj ka akuzuar Kryeministrin Berisha se po hakmerrej ndaj një ligji të tillë, duke theksuar se nuk i mbështeti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Në 1992, 50 për qind e pronave të Bashkimeve Profesionale në shkallë vendi i mori Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, ndërsa 40 për qind të totalit të tyre i mori Konfederata e Sindikatave. Pjesën tjetër kane marrë sindikatat e minatorëve. Kryeministri Berisha me daljen e një ligji të tillë theksoi se “me këto prona të dhëna janë abuzuar madje janë përdorur edhe për bixhoz”. Sipas tij, qeveria do të jetë aksionare në këto zona turistike, ku pas rehabilitimit të tyre mund të shiten aksionet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›