E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e deputetit, bien pistat e fundit

 

Trazhgim Sokolaj

Dy pistat e fundit të mbetura në hetim për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, janë rrëzuar. Atentati i mbrëmjes së 2 majit 2009 ndodhur në Roskovec të Fierit duket se ka mbetur “pa autor”. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se janë administruar në dosje të dhënat për lëvizjet e 20 personave të dyshuar, të cilët natën e krimit kanë qenë pranë vendit të ngjarjes. Disa ditë pas vrasjes së ish-deputetit, i cili u ekzekutua me breshëri armësh në portën e shtëpisë së tij në Roskovec, Prokuroria e Krimeve të Rënda u kërkoi kompanive celulare të identifikonin personat që kishin lëvizur në zonë, në kohën kur ndodhi ngjarja. Verifikimi bëhet përmes një procedure teknike, e cila identifikon përmes antenave, aparatet celulare në një zonë të caktuar. Në çdo zonë të vendit, kompanitë celulare kanë vendosur antena që përcjellin sinjalin e valëve telefonike. Me anë të pajisjeve kompjuterike, është e mundur që në një moment të caktuar të bëhet lokalizimi i aparateve celulare që ndodhen në zonë në kohën e dhënë. Lokalizimi bëhet duke matur gjatësinë e valës nga antena më e afërt deri tek aparati celular ku pulson sinjali. Bërthamat elektronike japin distancën, por edhe drejtimin në të cilin është personi që mban celularin, në raport me vendndodhjen e antenës më të afërt. Në këtë mënyrë, grupi i hetimit ka shpresuar se do të lokalizonte autorin e vrasjes së ish-deputetit Fatmir Xhindi. Duke menduar se ai ka pasur në përdorim një telefon celular natën e krimit, Prokuroria ka kërkuar identifikimin e të gjithë celularëve që kanë pulsuar në zonën ku ndodhi krimi nga ora 21:00 deri në 21:30. Kontrolli elektronik mësohet se ka identifikuar dhjetëra aparate, nga të cilët janë përjashtuar ata që u identifikuan si familjarë të ish-deputetit, që ndodheshin atë natë në banesë. Në përfundim kanë mbetur rreth 20 aparate celulare, në përdorim të po kaq personave, që kërkohej të verifikoheshin. Me anë të verifikimit të numrave telefonikë, është realizuar identifikimi i personave që mbanin celularët në fjalë. Ndaj tyre mësohet se janë bërë hetime përfshi vëzhgimin, marrjen në pyetje dhe një sërë procedurash të tjera. Sipas Prokurorisë, këto verifikime nuk provuan që ndonjëri nga këta persona “të dyshuar” të ketë pasur konflikte me ish-deputetin e aq më tepër të kishte marrë pjesë në ekzekutimin e tij. Hetimi i nisur me një numër të madh pistash menjëherë pas vrasjes, me kalimin e kohës reduktoi versionet në dy të vetme. Pista e parë ishte ajo që lidhej me vrasjen e Fatmir Xhindit për shkak të cilësive të veçanta të deputetit. Ndërsa versioni i dytë ishte mundësia e ndonjë konflikti personal apo mosmarrëveshje pronësie. Burime të Prokurorisë thanë se edhe këto dy pista janë rrëzuar tashmë, pasi për asnjërën prej tyre nuk ka persona të dyshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›