Sindikatat, zbardhet ligji për pronat
BLEDAR HOTI
Parlamenti shqiptar do të përfshihet në procesin e kalimit të pronave të sindikatave në pronësi të shtetit. Nisma më e fundit e Qeverisë për shtetëzimin e pronave të sindikatave parashikohet në informimin e Parlamentit me njohjen e procedurave për kalimin e pronësisë së hoteleve dhe qendrave turistike. Kjo është e përcaktuar në nenin 5 të projektligjit “Për shfuqizimin e ligjit “Për rregullimin e pasojave, që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr. 204, “Për pasurinë e sindikatave”. “Këshilli i Ministrave, bazuar në parimet e rehabilitimit dhe të zhdëmtimit të drejtë, brenda 60 ditëve nga data e raportimit në Kuvend të Komisionit të Posaçëm Shtetëror miraton, me vendim, fondin e pronave të paluajtshme shtetërore të inventarizuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji”, thuhet në këtë nen. Mbi bazën e kësaj një komision i posaçëm do të mbikëqyrë procesin e inventarizimit të pronave, të kalimit nga të sindikatave në shtetërore. Në bazë të nenit 4 pika 2 kërkohet që me këtë proces të merret Agjencia e Inventarizimit dhe të Transferimit të Pronave, e cila ka si kusht që ta përfundojë brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Pronat për kompensimin fizik
Projektligji parashikon që pronat e reja të inventarizuara të shkojnë për fondin e kompensimit fizik të ish-pronarëve. “Fondi i pronave të paluajtshme shtetërore të inventarizuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji vihen në dispozicion, për kompensimin fizik, të ish-pronarëve sipas ligjit, nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, si dhe vënien e tij në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, thuhet në nenin 5 të këtij drafti. Pra nga ky “shtetëzim” pritet të përfitojnë ish-pronarët, të cilët duan të përfshihen në procesin e kompensimit fizik. Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë një akt të veçantë nënligjor për kalimin e këtij fondi në llogari të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për efekt të kompensimit fizik të pronës.
Godinat me kreditë
Drafti i hartuar trajton edhe mënyrën e prishjes së kontratës, ku sindikatat kanë marrëdhënie kontraktore me të tretët, duke marrë kredi apo janë debitorë. Në rastin kur sindikatat nga administrimi i pasurive kanë hyrë në marrëdhënie detyrimi dhe paraqiten në cilësinë e kreditorit, zgjidhja e kontratës realizohet mbi bazën e nenit 466 të Kodit Civil, e cila e lejon që zëvendësimi i kreditorit të bëhet nga të tretët në favor të pronarit të vërtetë që është shteti. Sipas relacionit përkatës këtu bëhet fjalë kur sindikatat kanë kryer veprime juridike përtej tagrave të dhëna nga ligji në emër të shtetit shqiptar, por që rezultat i këtyre veprimeve juridike janë krijuar kredi për t’u vjelë nga shteti. “Ekzekutimi i detyrimit, që rrjedh nga një marrëdhënie detyrimi, ndërmjet sindikatës, në cilësinë e kreditorit dhe një pale të tretë, në cilësinë e debitorit, kryhet në favor të shtetit”, thuhet në nenin 3 të këtij drafti. Ndërsa për rastet kur sindikata është borxhlie (debitore), relacioni shpjegon se duke qenë se sindikatat nuk kanë qenë “de jure” pronare të këtyre pasurive të paluajtshme, veprimet e ndërmarra me palët e treta janë absolutisht të pavlefshme dhe rrjedhimisht nuk krijojnë pasoja juridike për shtetin. “Kjo do të thotë që këto detyrime të krijuara duhet të zgjidhen rast pas rasti në gjykatë me kërkesë të palëve të treta drejtuar sindikatave. Në këto raste, edhe nëse shteti thirret si palë në gjyq, prapësimi do të jetë për pavlefshmëri absolute të veprimit juridik që ka krijuar detyrimin, sepse ky veprim është krijuar në kundërshtim flagrant me ligjin. Për shkak të këtij arsyetimi, mund të thuhet që shteti nuk miraton përfaqësimin pa tagra të ndodhur në këto raste”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.
projektligji
Neni 1
Ligji nr.8340/1, datë 6.5.1998, “Për rregullimin e pasojave, që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr.204, datë 5.6.1992, “Për pasurinë e sindikatave””, shfuqizohet.
Neni 2
Për marrëdhëniet e detyrimet, të krijuara ndërmjet sindikatave dhe të tretëve, si dhe për kontratat e lidhura ndërmjet tyre, për shkak të ushtrimit të tagrave të gëzimit dhe të posedimit prej sindikatave mbi pasuritë shtetërore të paluajtshme zbatohen dispozitat e Kodit Civil.
Neni 3
Ekzekutimi i detyrimit, që rrjedh nga një marrëdhënie detyrimi, ndërmjet sindikatës, në cilësinë e kreditorit dhe një pale të tretë, në cilësinë e debitorit, kryhet në favor të shtetit.
Neni 4
1. Për identifikimin e pasurive të sindikatave ngarkohet Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike, e cila kryen:
a) Inventarizimin e pasurive shtetërore, të luajtshme dhe të paluajtshme, në administrimin e sindikatave;
b) Identifikimin e marrëdhënieve të krijuara me të tretët për këto pasuri;
c) Identifikimin e objekteve të kulturës, të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kanë kaluar apo duhet të kalonin në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, sipas nenit 7, të ligjit nr.8340/1, datë 6.5.1998;
d) Regjistrimin e pronave të paluajtshme të shtetit në Regjistrin e Pronave të Paluajtshme, në përputhje me ligjin numër 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar.
2. Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike duhet ta përfundojë këtë detyrë brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligjit dhe raporton në Këshillin e Ministrave.
3. Këshilli i Ministrave, bazuar në parimet e administrimit të pronës shtetërore, miraton, me vendim, procedurat për veprimtarinë dhe raportimin e Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike, në zbatim të pikës 2 të këtij ligji.
Neni 5
Këshilli i Ministrave, bazuar në parimet e rehabilitimit dhe të zhdëmtimit të drejtë, brenda 60 ditëve nga data e raportimit në Kuvend të Komisionit të Posaçëm Shtetëror miraton me vendim fondin e pronave të paluajtshme shtetërore të inventarizuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligjit, të cilat vihen në dispozicion, për kompensimin fizik, të ish-pronarëve sipas ligjit, nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, si dhe vënien e tij në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.