E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anketimi i BSH: Ekonomia e familjeve do të përkeqësohet

Sipas anketimit të Bankës së Shqipërisë, kostoja mesatare e jetesës në tremujorin e tretë 2011 vlerësohet të mos ketë ndryshuar, krahasuar me tre muaj më parë. Çmimet pritet të rriten në tremujorin e ardhshëm dhe disi gjatë 12 muajve në vijim

Ekonomia e familjeve shqiptare do të përkeqësohet. Perceptimi për pritshmëritë në mirëqenien e familjeve shqiptare erdhi nëpërmjet një anketimi, që Banka e Shqipërisë ka bërë ndaj konsumatorëve për tremujorin e tretë të këtij viti. Situata sipas Bankës nuk paraqitet shumë optimiste për gjendjen financiare të familjeve. Gjithashtu, pesimizmi është rritur edhe në lidhje me situatën e përgjithshme ekonomike të vendit. Por nëpërmjet këtij anketimi, Banka e Shqipërisë ka verifikuar se konsumatorët kanë lëshuar dorën për blerjet e mëdha. Përmirësimi i balancës mbi blerjet në shuma të mëdha, ndonëse negative, në tremujorin aktual shënoi një përmirësim të ndjeshëm me 10.4 pikë përqindje. Kostoja mesatare e jetesës në tremujorin e tretë 2011 vlerësohet të mos ketë ndryshuar, krahasuar me tre muaj më parë. Çmimet pritet të rriten në tremujorin e ardhshëm dhe të rriten disi gjatë 12 muajve në vijim. Në gjashtëmujorin e ardhshëm, konsumatorët presin rënie të nivelit të papunësisë. Bazuar në vlerësimet sasiore të konsumatorëve për normën e inflacionit pas 12 muajsh, vlera e pritur rezultoi 2.22 për qind, rreth 0.2 pikë përqindjeje më e lartë se ajo e shprehur në tremujorin e kaluar. Nga anketimi i Bankës vërehet se, treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi një rritje të lehtë me rreth 0.6 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2011. Përmirësimi aktual i treguesit u përcaktua nga zhvillimet relativisht pozitive në treguesit përbërës të tij. Përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve, të industrisë dhe në atë të ndërtimit kontribuoi pozitivisht në TNE. Në të njëjtin drejtim ndikoi dhe rritja e besimit të konsumatorëve. Treguesi i besimit në industri (TBI) shënoi një përmirësim të lehtë me rreth 1.2 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2011, pas përkeqësimit të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Bizneset e sektorit të industrisë kanë vlerësuar në rënie ecurinë e ekonomisë në total dhe gjendjen e përgjithshme të bizneseve të tyre gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011. Në përgjithësi, të gjithë faktorët që kufizojnë aktivitetin e bizneseve të industrisë, kanë ndikuar në një shkallë më të ulët në këtë aktivitet, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2011. Veçanërisht, problemet me energjinë elektrike, korrupsioni, ekonomia informale, gjendja e rendit dhe e sigurisë në vend, si dhe klima e brendshme politike kanë ulur ndikimin negativ në aktivitetin e bizneseve të industrisë. Sektori i ndërtimit. Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u përmirësua me rreth 3.5 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2011. Edhe pas përmirësimit të lehtë në tremujorin aktual, TBN vijon të jetë thellësisht negativ. Situata e prodhimit në sektorin e ndërtimit vijon të vlerësohet negativisht dhe pothuajse në të njëjtin nivel si në tremujorin e dytë të vitit 2011. Rënia e optimizmit të bizneseve të ndërtimit është shkaktuar nga ndikimi negativ që shkaktojnë problemet e lidhura me kuadrin ligjor dhe zbatueshmërinë e tij, korrupsionin dhe ekonominë informale. Problemet me energjinë elektrike, marrëdhëniet me bankat dhe situata politike e brendshme janë ndër faktorët e vlerësuar në një shkallë më të ulët nga bizneset e industrisë, si faktorë që pengojnë aktivitetin normal të tyre. Bizneset e sektorit të shërbimeve kanë vlerësuar negativisht situatën e përgjithshme ekonomike në vend gjatë tremujorit të tretë të vitit 2011. Balanca përkatëse shënoi rënie me rreth 3.7 pikë përqindjeje, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›