Banka “Intesa San Paolo”: Borxhi i Shqipërisë po rritet
Intesa San Paolo Bank, në një raport të posaçëm për zhvillimet ekonomike të vendit tonë gjatë këtij viti, ka vlerësuar se ekonomia vendase ka pasur rritje pozitive, por ndërkohë zhvillimet në buxhetin e shtetit, sidomos në krahun e të ardhurave nuk kanë qenë shumë favorizuese. Banka “Intesa San Paolo” ka shtrirje të gjerë në Europë dhe nxjerr raporte periodike për zhvillimet ekonomike në vendet ku ka degë. Në vlerësimin për Shqipërinë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ekspertët e bankës vërejnë se ka një deficit fiskal në rritje, për shkak se të ardhurat buxhetore janë rritur vetëm 1 për qind në krahasim me një vit më parë, nga 9 për qind që ishte plani. Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore janë rritur me 7 për qind në një linjë me planin. E gjendur në këtë situatë, qeveria shqiptare ka rishikuar buxhetin e shtetit duke shkurtuar shpenzimet publike me qëllim mbajtjen e deficitit buxhetor 3.5 për qind sipas përcaktimit në buxhet. Por duke marrë në konsideratë të ardhurat jo fort të favorshme edhe të muajve të fundit, Shqipëria rrezikon të mos respektojë kufirin e deficitit buxhetor, cilëson banka, e cila duke iu referuar parashikimit të FMN-së vlerëson se deficiti buxhetor këtë vit do të arrijë në 4.6 për qind. “Rritja e deficitit buxhetor në vitet e fundit ka akumuluar një borxh të lartë publik”, thuhet në raportin e “Intesa San Paolo”. Kështu, nga 54 % e GDP që ishte ky tregues në fund të vitit 2006, këtë vit pritet të arrijë në 59.4 për qind. Mirëpo “Intesa San Paolo” vlerëson se Shqipëria ka një pozicion financiar të favorshëm ndaj ekspozimit të borxhit në valutë të huaj. Borxhi në valutë të huaj është rreth 40% e GDP-së në 2010, shumë poshtë mesatares së vendeve të rajonit, të cilat e kanë këtë ekspozim mbi 75%.