E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Në Partinë Socialiste nuk do të ketë gjueti shtrigash

Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, deklaroi dje se sipas Kodit Elektoral, Partia Socialiste i ka humbur zgjedhjet dhe është në opozitë, ndërsa në planin moral dhe politik ajo ka fituar. Në një intervistë për "Ora News", Ruçi tha se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj dhe askush të mos mendojë se ajo mund të lodhet. "Sali Berisha të mos mendojë se opozita do të lodhet, se opozita nuk ka hapa të tjerë, çdo zgjatje e kësaj është jo në dobi të vendit dhe të Sali Berishës si qeveri", deklaroi Ruçi", tha ai. Ruçi foli për një sërë çështjesh duke prekur këtu rikandidimin e Edi Ramës, deklaratat e Fatos Nanos dhe grupin kundërshtar në parti që është kundër bojkotit. Sa i përket rikandidimit të Ramës, ai tha se "zoti Rama ka dashur të largohet pas 28 qershorit, por nuk e kanë lënë strukturat e partisë". Këtë koncept të bazës dhe strukturave Ruçi e arsyetoi me faktin që vetë Rama ia ka arritur që brenda një katërvjeçari të kalojë hendekun mes faktit që në 2005 Rama kërkonte partinë, ndërsa sot është anëtarësia që kërkon Ramën. Sakaq, ai mohoi se do të ketë "gjueti shtrigash" apo reagime karshi anëtarëve të lëvizjes për mendimin ndryshe. "Nuk paragjykoj asnjërin prej tyre dhe as qëndrimin që ata kanë. Edhe unë kam evoluar në këtë mendim dhe në këtë qëndrim dhe është normale evoluimi. Mendimi ndryshe i shërben PS, nuk e dëmton", vijoi Ruçi. Ruçi është ndalur te komentet e ish-kryetarit socialist, Fatos Nano, në daljet e tij publike para dhe pas zgjedhjeve. "Nuk do ta mendoja kurrën e kurrës që Fatos Nano si themelues i PS, si drejtues i PS për 15 vite rresht, tri ditë para zgjedhjeve të shprehte verdiktin e tij ndaj forcës së tij politike dhe një muaj pas zgjedhjeve të deklaronte votën e tij kundër PS. Këtë nuk do ta dëshiroja kurrë, nuk do të dëshiroja ta dëgjoja. Sigurisht është e hidhur, por ky është realiteti. Atëherë ky realitet nuk ka as më shumë dhe as më pak se ai qëllim dhe ajo alternativë që përfaqësonte kundërshtarët tanë politikë. Nuk doja ta shikoja Fatos Nanon kundërshtar të forcës sime politike. Ky është realiteti dhe sado i hidhur duhet pranuar", vijoi Ruçi.

Sakaq, ai vuri në dukje se PS ka bërë gati një projektligj i cili garanton transparencën dhe është i vlefshëm jo vetëm për këto zgjedhje, por për çdo proces zgjedhor. "Ne kemi bërë gati projektligj të posaçëm që të mos jetë për këto zgjedhje, por një ligj i miratuar nga Parlamenti shqiptar për të gjitha zgjedhjet, edhe sot që jemi në opozitë dhe nesër që do jemi në pushtet", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›