E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankimimi i PS dhe PD për Qarkun Lezhë, KQZ hap 16 kuti

TIRANË - Komisioni Qendror Zgjedhor me 4 vota pro miratoi pranimin e një pjesë të provave që subjekti politik Partia Socialiste dhe Partia Demokratike paraqiten në lidhje me kundërshtitë dhe pretendimet që ata kanë për Qarkun Lezhë.

KQZ sic kishte paralajmëruar rinisi mbledhjen në orën 16:00 ku mori në shqyrtim administrimin e provave, i cili konsiston në rihapje të kutive zgjedhore dhe rinumërim të votave. Për PD u vendos rinumërim dhe rivlerësim të votave në 10 qendra votimi. Ndërkohë që për PS pritet rinumërimi i votave në 6 qendra votimi që i përkasin qarkut Lezhë. 

Për këtë arsye KQZ ngriti dy grupe numërimi i cili pasi bëri verifikimet e kodeve të sigurisë së kutive të votimit dhe listave të zgjedhësve, vijoi me procedurën.

Kërkesat ankimore të PS-së dhe PD-së kundërshtojnë vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit të qarkut Lezhë, vendim që ndryshoi raportin e mandateve (4 me 3), në favor të koalicionit të djathtë. Në ankesat e tyre PS dhe PD kërkuan nga KQZ rinumërim dhe rivlerësim të votave në këtë qark

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi të mërkurën kërkesat ankimore të subjekteve zgjedhore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që kundërshtojnë vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit të qarkut Lezhë. Ky vendim i datës 10 korrik ndryshoi raportin e mandateve (4 me 3), në favor të koalicionit të djathtë. 

Në ankesën e paraqitur nga përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj socialistët kërkojnë nga KQZ rinumërim të votave në 17 qendra votimi në këtë qark. Po ashtu, kërkohet rinumërim në ZAZ-në nr.15 në Mamurras dhe rivotim në zonën e Laçit, ku u vra dhe përfaqësuesi i LSI-së. Sipas palës ankimuese, nga kjo vrasje procesi i votimit u bë inekzistent në tri qendra votimi për shkak të cënimit të sigurisë së jetës. 

Duke evidentuar shkeljet e konstatuara gjatë procesit në zonën e Mamurrasit, PS vëren se diferenca për ndarjen e një mandati në Lezhë lëviz për 39 vota dhe një manipulim i tillë cënon vullnetin e zgjedhësve. Socialistët kërkojnë nga Ministria e Brendshme që të verifikojë në sistemin TIMS listën e votuesve të QV-së 0907 të komunës Mamurras, që sipas PS dyshohet se një pjesë e madhe e zgjedhësve kanë qenë jashtë vendit dhe është votuar nga persona të tjerë.

Partia Demokratike në ankimimin e prezantuar nga juristi Ivi Kaso kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave në 10 qendra votimi, ndërsa në 7 qendra të tjera po në KZAZ nr.13, PD pretendon se rezultati është i manipuluar në dëm të këtij subjekti. 

"Numri i votave në kutinë e votimit është disa herë më i lartë se numri i votave, i pasqyruar në tabelat e rezultateve për këto qendra votimi, duke dëmtuar dukshëm në këtë mënyrë subjektin tonë dhe duke shkelur parimin e moscënimit të votës së zgjedhësit. Kërkojmë rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në këto qendra, duke u përfshirë më pas rezultati i rinumërimit dhe rivlerësimit në rezultatin përfundimtar të qarkut Lezhë", deklaroi juristi Kaso.

(vijon)

(m.a/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›