E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Vendimmarrja e KQZ-së e paligjshme, ankesat t’i shqyrtojë Kolegji

TIRANE - Deputeti socialist, Erjon Braçe e konsideron të paligjshëm të procesin e vendimmarrjes së KQZ-së, për shkak të mungesës së kuorumit. Duke iu referuar shqyrtimit të kërkesave ankimore të partive politike në mbledhjet ku janë të pranishëm vetëm katër anëtarë, Braçe thekson se çdo gjë po kryet në kushtet e paligjshmërisë. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Braçe tha se kërkesat ankimore duhet t’i shqyrtonte Kolegji Zgjedhor.

“Në gjithë procesin e vendimmarrjes së KQZ-së në këto 3-4 ditët e fundit paligjshmëria është elementi themelor. Në kodin zgjedhor shkruhet qartë që KQZ nuk mund të marrë në shqyrtim ankesa pa kuorumin e caktuar, që është 5 anëtarë. Mbledhjet e KQZ po bëhen me 4 anëtarë. I gjithë procesi është i paligjshëm, duhet të merren vendime me 5 anëtarë, janë 4. Çdo gjë po kryet në kushtet e paligjshmërisë. Këto kërkesa duhet ti shqyrtonte Kolegji Zgjedhor.”- tha Braçe.

I pyetur nëse koalicioni fitues pret të rimarrë mandatin e 84 në qarkun e Lezhës, Braçe tha: “Ajo që shqiptarët kanë vendosur me votë që kryeministri në detyrë, ose kryeministri i humbur nga zgjedhjet do të largohet nga posti i tij dhe këtë e kanë vendosur shqiptarët me votë. Pak gjëra ndryshojnë në këtë histori. Ajo që na intereson ne është ligjshmëria. Ligjshmëria nuk ekziston në KQZ”.

Më tej deputeti socialist komentoi edhe situatën në të cilën ndodhet vendi në këtë fazë të tranzicionit të pushteteve, duke akuzuar qeverinë në detyrë se po rëndon me qëllim situatën e financave, të energjisë dhe kriminalitetin në vend.

“Situata kaotike në vend është e qëllimshme. Situata kaotike me financat, energjinë dhe krimin janë të gjitha të qëllimshme. Ajo që po ndodh pas zgjedhjeve po e rëndon atë që ne dinim para zgjedhjeve. Ne dinim një situatë të rënduar por këta po tejkalojnë çdo cak.”- tha Braçe.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›