E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankimimi i PS-së, KQZ vendos sot për Fierin

Në aktankesën e saj, PS-ja shtron 13 kërkesa, që kanë të bëjnë si me rrëzimin e vendimeve të ndërmjetme, që katër KZAZ kanë marrë për miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve, ashtu edhe me kërkesat për hapjen e kutive të bllokuara


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të përfshihet sot nga debate të forta, për shkak se pritet të marrë në shqyrtim një nga çështjet më të nxehta të kësaj periudhe paszgjedhore, e që ka të bëjë me pretendimin e socialistëve për të numëruar 9 kutitë e votimit të Qarkut të Fierit.


Në mënyrë unanime, ky institucion ka pranuar dje që të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të selisë rozë për të numëruar dhe vlerësuar të gjitha fletët e votimit të 9 qendrave të votimit, të cilat janë bllokuar prej ditësh në KQZ.


Ndërkohë, ditën e nesërme, ky institucion do të marrë në shqyrtim pretendimin e PS-së për të rivlerësuar dhe rinumëruar votat në 4 KZAZ-të e Qarkut të Beratit, pasi ka hedhur sot shortin për përcaktimin e relatorit të çështjes.


Fieri


Në aktankesën e saj, që Partia Socialiste ka paraqitur për çështjen e "Fierit", shtrohen 13 kërkesa, që kanë të bëjnë si me rrëzimin e vendimeve të ndërmjetme, që këto katër KZAZ kanë marrë për miratimin e tabelave përmbledhëse të rezultateve, ashtu edhe me kërkesat për hapjen e kutive të bllokuara dhe përfshirjen e tyre në rezultatin final të të gjithë qarkut.


Më konkretisht, selia rozë kërkon kundërshtimin e vendimeve të ndërmjetme të KZAZ-së numër 18, sipas të cilave, janë konsideruar të pavlefshme fletët e votimit të QV-së 3006 dhe 3017, si dhe është deklaruar e parregullt kutia e votimit numër 3027. Për të mbetur tek kjo ZAZ, PS-ja kërkon numërimin dhe vlerësimin e votave të këtyre tre QV-ve dhe përfshirjen e rezultatit të tyre në tabelën përmbledhëse të kësaj KZAZ-je.


Në relacionin shoqërues, PS-ja thekson se, për sa i përket QV-së 3006, pasi ka nisur numërimi i saj dhe pasi janë lexuar më shumë se 40 vota, me forcë kartoni, komisionerët e djathtë kanë vendosur që të ndërpritet numërimi dhe të gjitha fletët e votimit që ndodheshin në kutinë përkatëse, të shpalleshin të pavlefshme.


Ky veprim, sipas socialistëve, është kryer në mënyrë të kundërligjshme, pasi KZAZ-ja nuk e ka një kompetencë të tillë. Po me anë të këtij vendimi, kjo KZAZ ka shpallur pa asnjë lloj argumenti të pavlefshme edhe kutinë e votimit me numër 3017.


Po me vendim të ndërmjetëm, ky komision ka përcaktuar si të parregullt edhe kutinë me fletët e votimit të QV-së 3027, e cila i ishte dhënë ndërkohë GNV-së për numërim dhe më pas e ka mbyllur atë, pa lejuar mbylljen e procesit të numërimit.


Një kërkesë tjetër e këtij ankimi ka të bëjë me kundërshtimin e ndërmjetëm të KZAZ-së me numër 19, me anë të të cilit janë shpallur të pavlefshme kutitë e votimit me numër 3116 dhe 3122.


Në relacion shpjegohet se kjo KZAZ, në kundërshtim me Kodin, ka vendosur të cilësojë të parregullta kutinë e materialeve dhe atë të votimit të dy qendrave të mësipërme, edhe pse ligji nuk ia njeh këtë të drejtë.


Në këtë kërkesë, selia rozë godet edhe vendimin e ndërmjetëm të KZAZ-së 20, e cila ka shpallur të parregullta tri kuti votimi dhe, më konkretisht, atë me numër 3185, 3188, 3197, për të cilat kërkon numërim dhe rivlerësim votash.


Për këtë rast, PS-ja argumenton se dy kutitë e para, pasi janë numëruar rregullisht dhe janë plotësuar tabelat e rezultateve nga GNV-të, KZAZ-ja ka vendos t'i shpallë ato të pavlefshme, duke i cilësuar të parregullta. PS-ja ka goditur si antiligjor edhe vendimin e KZAZ-së numër 22, e cila ka shpallur të pavlefshme kutinë e votimit të QV-së 2919.


Pas hedhjes së shortit gjatë ditës së djeshme, është përcaktuar relator i kësaj çështje anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi, ndërsa seanca e shqyrtimit pritet të mbahet sot pasdite, në orën 18:00.


Berati


Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka mbërritur dhe kërkesa e dytë ankimore e socialistëve, e cila godet vendimmarrjen e katër KZAZ-ve të Beratit dhe atë të KQZ-së, e cila miratoi tabelat përmbledhëse të rezultateve për këtë qark.


Kërkesa është marrë dje në konsideratë nga KQZ-ja dhe për të është përcaktuar si relatore anëtarja demokrate e këtij komisioni, Vera Shtjefni. Nëpërmjet kësaj ankese, PS-ja kërkon rivlerësimin dhe rinumërimin e votave të katër KZAZ-ve.


Një kërkesë ankimore pritet të vijë në KQZ edhe prej demokratëve, të cilët kanë shprehur rezerva lidhur me procesin e numërimit të votave në KZAZ-në numër 37, në Qarkun e Lezhës, ku nuk janë marrë në konsideratë rezultatet e 11 qendrave të votimit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›