E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muri qeveritar "zapton" plazhin në Vlorë

Pronarët me letra thonë se ata lejohen të hyjnë në pronat e tyre si vizitorë, dhe kërkojnë ndihmë nga Kryeministri


Frekuentuesit e rregullt të plazhit janë detyruar të gjejnë një tjetër vend, pasi tashmë përplasen pas murit


VLORË - Është ndër plazhet më të bukur të Vlorës. Shumë prej pushuesve e preferojnë për pastërtinë e ujit, por edhe panoramën e veçantë që ka plazhi.


Por këtë verë një mur ka veçuar pjesën më të madhe te plazhit, ndërsa tabela "Rezidencë qeveritare", shoqëruar me ushtarin përtej murit kujton plazhistët se nuk duhet të bëjnë hapa më tutje. I njohur si problem së fundmi, ku pati konflikte ndërmjet pronarëve me përfaqësuesit e rezidencës qeveritare, çështja e rezidencave "parcelizoi" edhe plazhin.


Dje, shumë pushues kanë preferuar sërish pjesën e mbetur të plazhit te vilat. Çadrat në pjesën fundore të plazhit janë vendosur ngjitur njëra-tjetrës, ndërsa ambientet e kufizuara duket se nuk e kënaqin kërkesën, pasi shumë plazhistë ndalin, shikojnë kushtet dhe të pakënaqur vijojnë më tej.


Një ndër pronarët që pretendon të ketë gjithë dokumentacionet e nevojshme për t'u quajtur legjitim, pohon se kjo ka risjellë edhe njëherë kohën e diktatorit Hoxha, vetëm se atëherë rrethimi ishte me tela, ndërsa tani është me mur. "Pas viteve '90 plazhi u hap për të gjithë. Vitet e fundit, duke na njohur pronat, vendosëm dhe lokalet përreth, të cilat ishin mjaft të frekuentuara në verë.


Por çdo gjë u mbyll. Pak muaj më parë, këtu u vendos muri, ndërsa ne na lejojnë thjesht si vizitorë në pronat tona dhe kjo është shkelje flagrante, siç edhe ato që u bënë deri në përleshjet që patëm me gardën e policinë pak kohë më parë.


Ne i kërkojmë edhe njëherë kryeministrit Berisha të rishikojë pozicionin tonë, të rishikojë këto vendime që merren, të cilat janë thjesht plotësim interesash të një grupi të paktë personash, vendime të gjitha të padrejta".


Në opinionet e tyre plazhistët e kanë cilësuar deri një absurditet rrethimin me mur. Një prej tyre, nga qyteti i Fierit, pohon se është prej 15 vjetësh pushues në këtë zonë, një bregdet i cili është ndër më të bukurit dhe tashmë shikon se është vendosur muri.


"Nuk e di si mund të merren vendime të tilla, - thotë ai, - pasi këtu aktualisht nuk ka as qeveritarë në rezidencë dhe këto të fundit janë ende të prishura. Nëse këtu mund të kishte me mijëra pushues, tani ky numër është reduktuar në maksimum. Për më tepër që të lë një shije të hidhur që të bësh plazh në këto kushte, sikur jemi në luftë.


Edhe pushues të tjerë, të cilët prej vitesh kanë qenë frekuentues të këtij plazhi, thanë se janë habitur nga pamja e sivjetshme, aq më tepër se këtu nuk ka ndryshuar asgjë nga gërmadhat e rezidencave për të mbyllur me mur një sipërfaqe kaq të madhe sa është e rrethuar aktualisht.


Ndërkohë, siç mësohet, vilat qeveritare do t'i nënshtrohen rikonstruksionit, për t'u kthyer në destinacionin e tyre. Këto ndërtesa u prishën në kohën e trazirave, në '91 dhe sidomos në vitin '97.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›