Ankimoi arrestin, Apeli lë në burg pa afat Aldo Baren
Armand BajramiApeli i Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e Aldo Bares, të akuzuarit si kreu i “bandës së Lushnjës”, për lirim të menjëherëshmë nga qelia për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Një peseshe gjykuese e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda vendosi dje lënien në fuqi të vendimit të shkallës së Parë në 17 dhjetor ‘09 që la në burg Aldo Baren. Në këtë mënyrë i cilësuari i prokurorisë si “truri” i bandës famëkeqe të Lushnjës, do të vijojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet.Burime pranë seancës me dyer të mbyllura për publikun. Vetë i pandehuri Bare nuk ishte i pranishëm dje në seancën me dyer të mbyllura për publikun, ndërsa interesat e tij përfaqësoheshin nga përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Vladimir Meçi. “Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendos lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, të datës 17 dhjetor 2009”, thuhej në dispozitivin e vendimit të djeshem të Gjykatës së Apelit në lidhje me kërkesën e Bares. Në vendimin në Shkallën e Parë gjykata e vlerësonte kërkesën e të akuzuarit si kreun e “bandës” si të pabazuar në ligj. Avokati i të pandehurit Bare pretendoi përpara gjykatës së klienti i tij po mbahej në burg padrejtësisht, pasi koha e tij ligjore e qëndrimit në paraburgim kishte mbaruar. Sipas avokatit Meçi, i pandehuri Bare mbahet në qeli në kundërshtim me ligjin që prej 1 viti e 5 muajsh. Në shqyrtimin e kërkesës në shkallën e parë prokuroria pretendoi se për Baren afati i paraburgimit fillon që me ekstradimin e tij në Shqipëri, që i takon datës 25 nëntor 2009. Në këtë datë Aldo Bare, preku tokën shqiptare në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas i lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Ai u ekstradua nga Turqia, ku qëndronte që prej arrestimit të tij në nëntor të vitit 2006 në këtë vend. Që prej ditës së kthimit në Shqipëri Bare është përballur disa herë me gjykatën gjatë shqyrtimit të kërkesave të tij për “lirim të menjëhershëm për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit” apo “përjashtim të kryesueses së trupës gjykuese”. Prokuroria për Krimet e Rënda i ngarkon Aldo Bares një sërë akuzash të rënda të kryera gjatë aktivitetit kriminal të “bandës së Lushnjës”.