E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, gjykata i kthen ish-”Drinin” pronarëve

 TIRANE - Bashkëshortja dhe fëmijët e Vajdin Lamajt, biznesmenit që humbi jetën 5 vjet më parë, fitojnë pronësinë mbi bar-restorant “Drinin” në qendër të kryeqytetit. Në fakt, pronësinë ata e kanë fituar katër muaj më parë me anë të një vendimi të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por pak ditë më parë, me kërkesë të Zhuljeta Lamaj, bashkëshortja e të ndjerit, Gjykata e Tiranës ka vendosur lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për vendimin numër 662 datë 23 maj 2003 të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili njeh Lamaj dhe mikun e tij grek Anastasios Petropoulos si pronarë të bar restorant “Drinit”. Ky vendim kishte mbetur i paekzekutuar për shtatë vite me radhë, pasi ishte ankimuar në Gjykatën e Lartë, e më pas në Gjykaten Kushtetuese, derisa në shtator të vitit të kaluar Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë do të vendosnin lënien e tij në fuqi. Menjëherë pas kësaj i hapej rruga ekzekutimit të këtij vendimi, çka ka bërë që bashkëshortja e ish-biznesmenit të vrarë në shkurt 2005, t’i drejtohej gjykatës së kryeqytetit për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Kërkesa e Zhuljeta Lamaj është shqyrtuar më datë 23 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa kërkuesja sipas vendimit të gjykatës është përfaqësuar në gjykim nga avokati Genc Gjokutaj, të cilin e kishte pajisur me prokurë të posaçme. Në vendimin e shpallur dy javë më parë Gjykata e Tiranës argumenton se në korrik 2002 e njëjta gjykatë ka vendosur rrëzimin e padisë së ngritur nga biznesmeni Lamaj dhe miku i tij grek Petropoulos, por Gjykata e Apelit një vit më vonë do e pranonte padinë e tyre, kundër ish-Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, si dhe admnistratorëve të ish-shoqërive piramidale: “M.Leka”, “Vefa Hollding”, “Gjallica”, “Kamberi”, “Silva”, dhe “Cenaj”. Palë e tretë në gjykim ishte Vehap Lamaj, personi i cili e kishte blerë këtë objekt dhe ua kishte shitur dy biznesmenëve Vajdin Lamaj e Petropoulos. Apeli ka nxjerrë të pavlefshme kontratën e shitjes të objektit lidhur midis administratorëve të piramidave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, me argumentin se këto institucione nuk kishin paguar në kohë shumën e kërkuar. Po kështu më tej është vendosur që Hipotekat të fshinin pronësinë e restorant “Drinit” nga  Ministria dhe Doganat dhe në të njëjtën kohë ta regjistronin këtë në emër të Vajdin Lamajt dhe Anastasios Petropoulosit. Proceset gjyqësore midis dy paditësve dhe dy institucioneve shtetërore të paditur kanë nisur në vitin 1999 dhe vetëm 10 vjet më vonë do të mbaronin pas shqyrtimit disa herë nëpër të tria shkallët e gjyqësorit si dhe Gjykatën Kushtetuese. Tashmë, dosja pritet të ekzekutohet nga Përmbarimi dhe Hipoteka e kryeqytetit.                                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›