E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen edhe në Gjykatë

Të pakënaqur me refuzimin nga PZAP, një kandidat për deputet i LDK’së dhe një i PDKA’së janë ankuar dje në Gjykatën Supreme. Të tjerët mund ta bëjnë këtë deri sot në orën 15:00. Gjykata duhet të vendosë për këto ankesa brenda tri ditësh. Të hënën procesi zgjedhor rikthehet në KQZ. Nga Faton Ismajli më 04 shkurt 2011 në ora 09:15

Dy kandidatë për deputetë kanë vendosur të ankohen edhe Gjykatën Supreme të Kosovës, një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka refuzuar pretendimet e tyre se u janë vjedhur votat gjatë procesit zgjedhor.

Afati për ata që dëshirojnë të ankohen në Gjykatën Supreme ka filluar të enjten në orën 15:00 dhe zgjat njëzet e katër orë.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka thënë se dy ankesat e drejtuara gjatë ditës së djeshme janë nga një kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një kandidat tjetër nga Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës.

PZAP një ditë më herët ka hedhur poshtë si të pabazuara 22 ankesat e partive dhe kandidatëve që janë bërë pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Megjithëkëtë, kryetari i Gjykatës Supreme ka sqaruar se deri të hënën do të përfundojë punën ky institucion sa i përket ankesave të atyre që nuk janë të kënaqur me rezultatet e shpallura nga KQZ’ja.

“Sipas ligjit, afati për ankesa skadon të premten në orën 15:00”, ka thënë Hasani.

“Ne i kemi 72 orë, sipas ligjit në dispozicion, me vendos. Mirëpo, të hënën ne do ta përfundojmë punën sipas afatit ligjor”, ka premtuar ai

Në PZAP është ankuar edhe Avni Klinaku, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, i cili ka kandiduar për deputet në listën e Vetëvendosjes. Blerta Maliqaj e Partisë Demokratike të Kosovës. Xhavit Uka, Njomza Emini dhe Zef Morina kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Emine Tolaj dhe Enver Gashi nga lista e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga koalicioni i udhëhequr nga Partia e Behgjet Pacollit në PZAP janë ankuar Arta Haxhiaj, Isa Turkaj dhe Nafije Gashi. Kjo e fundit është anëtare e Partisë së Drejtësisë.

PZAP ka refuzuar edhe ankesën e Danush Ademit, kryetar i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, Abaz Ademit të BSDAK’së, Gani Elshanit të PDAK’së, Zoran Ristic nga Lista e Bashkuar Serbe, Qerim Bajrami nga VAKAT’i, Sabri Kurtishi i VAKAT’it, Rusu Taç i KTB’së dhe Cemil Cuma i KDP’së.

Pas përfundimit të procesit të ankesave në lidhje me rezultatet e publikuara nga KQZ do të hapet rruga për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, të cilat kanë filluar para dy muajsh.

Rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit janë kontestuar nga disa parti politike për shkak të parregullsive që kanë ndodhur gjatë ditës së votimit, ku si pasojë në katër komuna ka pasur rivotim të përgjithshëm.

Në bazë të rezultatit përfundimtar, PDK’ja ka dalë partia e parë, LDK e dyta, Vetëvendosje e treta. Aleanca e Ramush Haradinajt do të ketë grupin parlamentar prej 12 deputetësh, ndërkaq AKR e Behgjet Pacollit përfaqësohet me 8 deputetë.

Partia e Pavarur Liberale ka fituar 9 ulëse, ndërsa partitë tjera të pakicave 16 vende.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›