E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen maturantët

Nga Express më 18 qershor 2011 në ora 20:32

Maturantët, të cilët nuk e kanë kaluar testin e maturës, po vazhdojnë të paraqesin ankesat e tyre në sektorin për vlerësim, standarde dhe monitorim, në Ministrinë e Arsimit.

Ata shprehin pakënaqësitë e tyre, pasi mendojnë se ka pasur parregullsi në mënyrën e vlerësimit.

Ndërkohë, përfaqësues të sektorit të vlerësimit, thonë se çdo ankesë e maturantëve do të shqyrtohet dhe do t’u mundësohet, që të shikojnë vet punën e tyre. Gjatë periudhës së ankimimit për maturantët, të cilët nuk e kanë kaluar testin e maturës në afatin e qershorit, në sektorin për vlerësim dhe monitorim, janë paraqitur shumë ankesa.

Maturantë nga vende të ndryshme të vendit, thonë se vlerësimi nuk ka qenë i drejtë.

Sipas tyre, nxënësit me rezultat më të dobët e kanë kaluar provimin, ndërsa ata me rezultat të shkëlqyeshëm nuk e kanë kaluar. Udhëheqësi i sektorit për vlerësim, standarde dhe monitorim, në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha se është e natyrshme, që maturantët, të cilët nuk e kanë kaluar testin, të paraqesin ankesat e tyre.

Ai tha se të gjithë maturantëve që ankohen, u mundësohet të shikojnë vet testet e tyre se çfarë kanë punuar.

Maturantët, të cilët kanë paraqitur ankesat e tyre në sektorin për vlerësim, standarde dhe monitorim, do të marrin përgjigje më 22 qershor. Ata që nuk kanë treguar sukses në këtë afat, do të kenë mundësi t’i nënshtrohen testit edhe njëherë në afatin e gushtit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›