Kalderon: Perez, kukull në duart e Murinjos
Ish-presidenti i Real Madridit, Ramon Kalderon ka bërë një goditje nën rrip për presidentin aktual të klubit spanjoll, Florentino Perez. Ai beson se menaxheri Horge Mendez dhe trajneri Zhoze Murinjo janë aktualisht të vetmit që u dëgjohet zëri në korridoret e selisë mbretërore. Kalderon ishte president i Realit në periudhën 2006-2009, para se Perez të kthehej për herë të dytë në krye të madrilenëve. “Mendoj se klubi e ka një pronar, i cili quhet Horge Mendez, i cili është përfaqësues i 6-7 lojtarëve të Real Madridit. Trajneri Murinjo është president i klubit”, akuzon Kalderon për ‘EFE’. “Deri tani, Florentino Perez nuk është asgjë më shumë sesa një kukull dhe kjo është absolutisht e pakapshme. Jam i befasuar kur e shoh atë duke aktruar si një kukull për ata dy njerëz dhe unë me të vërtetë nuk e kuptoj këtë”, shtoi Kalderon. Që kur ‘Special One’ arriti në Madrid në vitin 2010, lojtarët si Fabio Koentrao, Rikardo Karvalho e Angel di Maria, të cilët përfaqësohen nga Mendez, kanë lëvizur drejt kryeqytetit spanjoll, pa harruar se Pepe e Kristiano Ronaldo kanë po ashtu portugezin menaxher të tyre.