E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ranieri: Kam vendosur lojtarët në rolet e tyre

Interi e filloi sezonin në mënyrë të keqe nën drejtimin e trajnerit Xhan Piero Gasperini, por gjërat ndryshuan shumë shpejt kur atë e zëvendësoi Klaudio Ranieri. Me ish-trajnerin e Romës e Juventusit, zikaltërit i fituan dy ndeshje në transfertë, ndaj Bolonjas në Serie A (1:3) dhe kundër CSKA së Moskës në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma (2:3). “Janë të shumta gjërat nga të cilat jam i kënaqur. Tri pikët, loja e shfaqur në pjesën e parë dhe reagimi ndaj presionit në pjesën e dytë. Ishte kënaqësi t’i shohësh djelmoshat me aq ngulm për fitore. Kemi disa lojtarë të rëndësishëm jashtë për shkak të lëndimeve dhe i presim. Por, kush ka luajtur deri tash, ka dhënë gjithçka”, ka deklaruar fillimisht trajneri italian për Sky Sports. Ai beson se Interi mund të fitojë trofe këtë sezon, edhe pse pati një fillim të dobët të sezonit. “Jam i bindur se Interi e ka dëshirën për fitore, krenarinë dhe motivin për të treguar se nuk është i mbaruar. Mund ta tregojë veten në kampionat dhe Europë. Gasperini nuk kishte kohë dhe fat, po ashtu pati shumë dëmtime. Receta ime? Unë vetëm i kam vendosur lojtarët në rolet ideale”, përfundoi Ranieri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›