E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankohen operatorët turistikë: Fushata zgjedhore po na tremb pushuesit

Pronarët e dhjetëra hoteleve në Durrës rrezikojnë falimentimin. Sezoni turistik ka nisur me një mungesë të theksuar të pushuesve

Ervin KOÇI

Sezoni turistik, megjithëse ka një muaj që është çelur zyrtarisht në të gjithë vendin, plazhet dhe njësitë akomoduese të turistëve kanë mbetur bosh. Pronarët e hoteleve, bareve, restoranteve dhe plazheve private, kanë kohë që po presin pushuesit që të zbarkojnë në njësitë e tyre, por kjo gjë nuk ka ndodhur akoma. Klima e tensionuar elektorale në vend dhe fushata që ka nisur të bëhet agresive, ka ndikuar direkt në mentalitetin e shqiptarëve, të cilët ndjehen të pasigurt për të nisur sezonin e pushimeve. Shumë familje shqiptare janë mjaftuar vetëm me disa fundjava ose më mirë vetëm me ndonjë të diel të kaluar pranë detit dhe rërës, por as që u janë kthyer bareve, restoranteve dhe hoteleve për të shpenzuar në to. Gjatë javëve të shkuara qytetarët shqiptarë që kanë mundur të bëjnë pak ditë plazh e kanë organizuar në mënyra rrethanore dhe me mjetet e tyre pushimin në plazh dhe me shpenzime minimale. Lajmin e kanë konfirmuar dhe dhjetëra pronarë hotelesh, restorantesh dhe baresh në plazhin më popullor të vendit, në Durrës, të cilët kanë thënë se “këtë muaj qytetarët kanë bërë plazh me bukë me vete”. Ata më tepër se krizën ekonomike, të cilën e rendisin si një ndër faktorët kryesorë për mungesën e pushuesve, kanë fajësuar më tepër fushatën elektorale në vend, e cila ka krijuar panik dhe pasiguri tek qytetarët. Për këtë ata kanë kërkuar dhe ndihmën e pushtetit lokal si dhe shoqatave që përfaqësojnë interesat e tyre, me synim ndryshimin e situatës.

Reagimi i operatorëve

Shoqata e Operatorëve Turistikë të qytetit të Durrësit ka reaguar dje pas ankesave të shumta të pronarëve të njësive akomoduese turistike në këtë qytet, të cilët janë shprehur se mungesa e pushuesve po i çon ata drejt falimentimit. Duke parë situatën ata i kanë bërë thirrje forcave politike në vend që po zhvillojnë fushatën elektorale, që bashkë me sloganet për votën të bëjnë apel që qytetarët t’i rikthehen normalitetit, pushimeve dhe të jenë të sigurt. Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, të gjithë njësitë akomoduese në qytetin e Durrësit nuk i kanë rritur çmimet, madje ka pasur edhe nga ato që i kanë ulur ato deri në 15 për qind. Por, sipas tyre, pa praninë e pushuesve çdo investim dhe çdo përpjekje është e kotë, pasi deri tani turistët janë numëruar me kokrra. Sipas këtyre operatorëve, “fushata elektorale ka ndikuar direkt te rënia e numrit të turistëve të brendshëm dhe të huaj”. Kjo gjë duket qartë veçanërisht në plazhin e Durrësit dhe Golemit ku shumë pak persona duket se frekuentojnë hotelet dhe restorantet e zonës. Operatorët turistikë të zonës thonë se krahasuar me një vit më parë numri i pushuesve në këtë periudhë është shumë i ulët. Ata shpresojnë që me përfundimin e procesit zgjedhor njerëzit t’i rikthehen detit. Indrit Nuredini, operator turistik, rënien e fluksit të njerëzve këtë vit e shikon te kriza ekonomike, e cila pengon kryesisht emigrantët. E njëjta situatë shihet pothuajse në të gjithë bregdetin shqiptar. Plazhet kanë shumë pak pushues ditorë ndërsa pjesa më e madhe e hoteleve punojnë me kapacitete të ulëta.

Agjencitë në krizë

Edhe agjencitë turistike që kryesisht merren me organizimin e tureve jashtë vendit, këtë verë e kanë nisur me shumë pesimizëm. Në shumë prej agjencive prenotimet për pushime jashtë vendit as që kanë nisur, në një kohë që shumë të tjera pranojnë se nuk kanë pasur as klientë që të interesohen për çmimet dhe ofertat, e jo më për prenotime. Zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme elektorale më 28 qershor pritet të jetë faktori kryesor që parashikohet të ndikojnë në uljen e kërkesës së shqiptarëve për t'i bërë pushimet jashtë vendit. "Në kushtet kur vërehet një ulje e të ardhurave, ai që e pëson i pari është turizmi, pasi konsiderohet ‘shërbim luksi’, dhe është i pari që sakrifikohet", - shprehet administratori i një prej agjencive turistike më të mëdha që operojnë në Shqipëri. Me gjithë numrin e madh të agjencive që ofrojnë shërbime turistike në vend, jo më shumë se shtatë prej tyre kanë marrë përsipër të porosisin Çarter për sezonin e këtij viti. Zakonisht, shumica e agjencive që marrin Çarter, bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, duke ndarë vendet e avionit në raport me hapësirën që zënë në treg dhe numrin e pushuesve që parashikojnë të dërgojnë.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›