Kodheli: “Vrasja e Kekës e përgjak sërish fushatën zgjedhore”
Partia Socialiste e cilësoi si përgjakje të fushatës zgjedhore ekzekutimin e kreut të PDK-së në Shkodër. Zëdhënësja Mimi Kodheli, duke shprehur ngushëllimet për familjen e Aleks Kekës, i bëri thirrje Policisë të mos bëhet palë me askënd, të zbardhë rrethanat e vrasjes dhe të nxirren autorët përpara Drejtësisë. “I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, miqve dhe kolegëve demokristianë. Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore, të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit. Ne i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të punojë pa u bërë palë me askënd dhe pa u nxituar në përfundime të parakohshme dhe joprofesionale, të zbardhë një orë e më parë rrethanat e kësaj vrasjeje dhe të çojë përpara Drejtësisë autorët e saj”, - theksoi Kodheli përmes një deklarate për mediat.
PS-ja nënvizon se fushata zgjedhore po tensionohet për shkak të presionit të pushtetit dhe gjuhës së urrejtjes. “Ngjarja e sotme e përgjak sërish fushatën zgjedhore, të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit”, - u shpreh zëdhënësja e Partisë Socialiste.
19 Qershor 2009