E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat shqiptare vënë në punë sistemin dixhital në të gjitha pikat doganore



Të gjitha deklaratat e import-eksportit dhe transitit, duke nisur nga dita e djeshme, do të kryhen on-line në të gjitha degët doganore, duke sjellë kështu një përputhje të plotë me standardet dhe praktikat më të mira europiane dhe ndërkombëtare. Administrata doganore shqiptare ka realizuar me sukses kalimin nga sistemi “Asycuda ++” në sistemin më të përparuar, versionin e fundit të Sistemit Informatik të Integruar Doganor, “Asycuda Word”, që bazohet në teknologjinë më të përparuar të informacionit (Web, Java etj.). Programi "Asycuda Word" mundëson informatizimin e plotë të të gjitha veprimeve doganore dhe shërben si një element bazë për vënien në zbatim të “e-government” dhe “e-business” në vendin tonë. Programi i "Asycuda Word" është dhuruar nga “UNCTAD”, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim me qendër në Gjenevë, ndërsa qeveria Shqiptare ka financuar asistencën teknike të këtij projekti. Automatizimi i operacioneve doganore përmes "Asycuda Word" ka sjellë: përpunimin më efikas të ngarkesave; përmirësim dhe thjeshtimin në zbatimin e procedurave doganore dhe kontrollin e të ardhurave; statistika të përditësuara dhe të sakta doganore e tregtare, si dhe lehtësimin e mjedisit tregtar lidhur me procedurat doganore dhe dokumentacionit. Sistemi Informatik i Integruar i Doganës Shqiptare është sistem i centralizuar që bazohet në aplikimin në Web dhe si e tillë, plotëson kërkesat e një administrate moderne doganore pasi mundëson përpunimin e deklaratave doganore në mënyrë tërësisht elektronike.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›