E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen studentët

Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 12:26

Ndonëse paguajnë 70 euro për ushqim dhe banim, studentët në Qendrën e Studentëve vazhdojnë të përballen me kushte jo të mira. Ata ankohen se në këtë qendër ka mungesë të ngrohjes, ujit të ngrohtë, si dhe mungesë të pastërtisë. Drejtues të Qendrës pranojnë se disa nga ankesat e studentëve janë reale, por thonë se kushtet për banim vazhdimisht janë duke u përmirësuar.

Studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Agron Oruqi, i cili banon në Konviktin numër dy, ka thënë për Kosovapress se pastërtia në këtë konvikt është nën çdo nivel.

“Ka disa probleme, për shembull me ujë të nxehtë, pastërtia nuk është në nivel dhe bëhet zhurmë e madhe. Kurse, sa i përket mensës, ushqimi është deri diku i mirë në krahasim me pagesën që bëjmë”, ka thënë Oruqi.

Edhe studentja e Fakultetit Teknik, Albulena Gërgjaliu, e cila banon në Konviktin numër 3, thotë se kushtet në konvikte në përgjithësi nuk janë të mira.
“Sa u përket kushteve këtu, nuk janë edhe shumë të mira. Pastërtia është deri diku për arsye se banjat janë kolektive, dy dhoma me një banjë, edhe pse nuk është shumë keq, por duke e krahasuar me Konviktin numër 6, është më keq te ne”, ka thënë ajo.

Gërgjaliu ndalet edhe te ngrohja në konvikte duke thënë se është shumë vështirë të mësohet në një vend ku nuk ka ngrohje. Ajo shpreson se viteve të ardhshme do të rregullohet edhe kjo çështje dhe se nuk do të problem për ngrohje në konvikte.

Drejtori i Qendrës, Fatmir Sfishta, pranon se ankesat e studentëve janë me vend, por jo edhe të gjitha ashtu siç thonë ata.

“Ankesat e studentëve, disa prej tyre qëndrojnë, për shembull ujin e ngrohtë, do ta veçoja si problem që na përcjell në Qendrën e Studentëve dhe studentët në përgjithësi, sepse kanë orarin tri herë në javë, kur uji iu ngrohet, iu përcillet në banjat e tyre, dhe kjo nuk është e mjaftueshme. Mirëpo, mendojmë që këtë vit do ta zgjidhim edhe këtë problem. Do ta shtojmë numrin e orareve me ujë të ngrohtë që do të kenë studentët për pastërti. Sa i përket pastërtisë së tyre, nuk do të pajtohem në asnjë formë, do të thotë pastërtia është në nivelin e duhur, përveç pastërtisë në dhomat e tyre, ku përgjegjës është vetë studenti apo studentja”, ka thënë Sfishta.

Sfishta ka përmendur edhe numrin e madh të studentëve, duke thënë se në një dhomë ka dy apo tre shtretër dhe se hapësira të cilën e ndajnë studentët është e mjaftueshme.
“E dimë se çfarë acari ka mbretëruar këto ditë dhe e dimë se kompania e cila është përgjegjëse në qytet dhe në qendrën e studentëve në veçanti nuk e ka luajtur rolin e vet. Pra, nuk kemi pasur fare ngrohje, mirëpo kemi funksionuar me sistemin e ngrohjes që e kemi brenda Qendrës së Studentëve dhe duke pasur parasysh që shpenzimet janë shumë të mëdha, ne kemi bërë një orar ku ngrohja ka funksionuar nga ora 7.00 e mëngjesit deri në orën 11.00 dhe pasdite nga ora 16.00 deri në 22.00”, ka thënë Sfishta.

Duke folur rreth ankesave së studentëve për ushqimin që ofron Mensa e Studentëve, Sfishta thotë se studentët kanë zgjedhje të ushqimit. Ndërsa, sa i përket pastërtisë, ai thekson se çdo ditë e viziton mensën dhe se deri më tash nuk ka pasur ndonjë vërejtje.

Sipas tij, ka ngritje si të cilësisë, ashtu edhe të pastërtisë dhe se ngritja e numrit të abonuesve, e cila nga viti i kaluar është më shumë se 1000 studentë, dëshmon se cilësia e ushqimit dhe pastërtia në mensën e studentëve është më e lartë sesa viteve të kaluara.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›