E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i FMN në Kosovë paskrijimit të Qeverisë

PRISHTINE-Ministri në largim i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, gjatë ditës së katërt të qëndrimit në SHBA ka pasur takime me zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Zyra për informim e MEF-it ka njoftuar se gjatë takimit me misionin e FMN-së janë diskutuar çështjet që lidhen me programin e nënshkruar në funksion të sigurimit të vazhdimit të këtij programi sipas marrëveshjes së arritur.
“Ekziston një gatishmëri që në momentin kur të formohet Qeveria e re misioni nga FMN-ja do ta vizitojë Kosovën, në mënyrë që buxheti për vitin 2011 të jetë në harmoni me këtë program”, thuhet në njoftimin e MEF-it.
Në njoftim thuhet se Shala është takuar edhe me drejtoreshën menaxhuese në Bankën Botërore, Ngozi Okonja Ivalla. Takimet në Bankën Botërore kryesisht kanë qenë të fokusuara në fushën e bashkëpunimit në projektet në energjetikë, projektet e mbështetjes buxhetore nga ky institucion, si dhe modalitete të tjera të bashkëpunimit.
Takime të ndara janë zhvilluar edhe me përfaqësuesit e Ex-Im Bankës, ku është shtruar nevoja e krijimit të një bashkëpunimi në të ardhmen, i cili do t’i mundësonte kësaj banke të financonte projekte të rëndësishme në Kosovë.
Një takim është zhvilluar edhe me përfaqësuesit e kompanisë “General Electrics”, ku u shpreh interesimi i kësaj kompanie për investime në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë, transportit, shëndetësisë, etj. Ministri po ashtu ka pasur takime edhe me Rick Holtzapple,nga Këshilli për Siguri Kombëtare i ShBA-së, dhe Christopher Smart, nga Thesari Amerikan, si dhe me personalitete të tjera të shtetit amerikan.

(d.b/Koha.net/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›