Shembulli i karameleve
Kosovarët shpenzojnë 600 mijë euro në vit veç për karamele. Kaq është kostoja për t’u plotësuar nevojat e kosovarëve me këtë produkt. Por, shumica e karameleve, sikurse edhe produkteve të tjera, importohen.
Prodhime si këto, që importohen nga vende të ndryshme, por që ka mundësi të jenë vendore, ka me shumicë në Kosovë.
Megjithatë, kur ekziston vullneti, karamelet mund të prodhohen edhe në Kosovë. Duhet vetëm përkrahje institucionale dhe bashkëpunim mes tregtarëve të mëdhenj dhe prodhuesve. Këtë gjë e vërteton fabrika e çokollatës “Liri” nga Prizreni. Kjo kompani po prodhon karamele midis Kosove. Por, kjo nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e Qendrës se marketeve “ETC”, që po ua merr produktet prodhuesve, duke ua siguruar shitjen.
“Nuk dallojnë fare për nga cilësia, me produktet e huaja”, thotë pronari i “Elkos”, Ramiz Kelmendi.
Fushata e nisur nga “Elkosi”, për promovimin e prodhimeve vendore ka sjellë frytet e para. Vetëm për dy javë fushatë është rritur qarkullimi i shitjes se produkteve vendore për 300 për qind. Para fushatës, për një javë qarkullimi i “Elkosit” nga shitja e prodhimeve vendore ka qenë 198 mijë euro. Kurse, gjatë aksionit, ka arritur në 595,675 euro.
“Nga ndikimi i ekspozimit, qarkullimi nga 198 mijë ka arritur në 210 mijë euro”, tregojnë të dhënat e nxjerra nga “Elkosi”.
Ky bashkëpunim, përveç prodhuesve kosovarë përfshin edhe ata nga Shqipëria. Tashmë, ka filluar hapja e qendrave të “Elkosit”, nëpër qytetet shqiptare.
Një prodhues nga Fieri, i cili ka filluar ta shesë mjaltin edhe në Kosovë, thotë se është shumë i kënaqur me këtë bashkëpunim.
“Ne po shesim edhe në Kosovë. Ky bashkëpunim është shumë i mirë pasi na mundëson të promovohemi”, tha ai.
Projekti i “Elkosit” synon që në vitin 2016, Kosova të eksportojë në Shqipëri 130 milionë euro produkte, kurse të importojë, 70 milionë.
Sidoqoftë, zbatimi i këtij projekti nuk është edhe pa probleme.
Kelmendi thotë se për këtë nevojitet edhe përkrahja institucionale. Heqja e doganës për shumë produkte dhe ndryshimi i legjislacionit, duhet të reformohen.
“Heqja e TVSH-së është mënyra më e mirë për t’i barazuar prodhuesit tanë me ata të huajt”, thotë Kelmendi.
Sipas projektit, Kosova qysh në vitin e parë ka mundësi të zvogëlojë importin për 100 milionë euro, ndërsa eksporti do të rritet për aq. Në vitet pasuese kjo shumë mund të katërfishohet. Përveç kësaj, punë në fillim do të gjejnë 10 mijë veta, kurse pas tri viteve të tjera 40 mijë.
Gjithashtu, parashihet të ngrihet një qendër e madhe distribuive në Tiranë, kurse rrjet të shitjes me pakicë të kenë në tërë Shqipërinë, ndërsa të njëjtën duhet mundësuar që afaristët shqiptarë ta bëjnë në Kosovë.
Rrjeti i marketeve ETC gjatë vitit 2009, ka qarkulluar me prodhime vendore 30 milionë. Në vitin 2010, 40 milionë, ndërsa në vitin 2011 mendojnë të shkojmë deri në 55 milionë, për ta rritur edhe me shumë në vitin 2012 me 75 milionë. Praktikisht, mendon pronari i ETC’së se në vitin 2017 do të arrijë këtë vlerë në 200 milionë euro.