E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohet FC Bamboo

FC Bamboo UAR ka bërë sërish ankesë ndaj kundërshtarit të gjysmëfinales së play-off-it në futsall, Fc Space club Peja. Fituesi i Kupës së Kosovës e konsideron të parregullt dhe në kundërshtim me rregulloren paraqitjen e tre futbollistëve malazezë për ekipin pejan, që luajtën edhe në ndeshjen e dytë, të cilën në fundjavë e fitoi Fc Space club Peja me rezultat 6:4.

Por, për dallim nga ndeshja e parë, e cila ishte regjistruar me rezultat zyrtar për FC Bamboo UAR, ankesa e dytë e prishtinasve është refuzuar nga Komisioni i Futsallit. Arsye e këtij refuzimi është fakti se në Mal të Zi ka përfunduar kampionati i futsallit, kështu që ky komision konstaton se lojtarët kishin të drejtë loje. Por, ndryshe mendon menaxheri i FC Bamboo UAR, Arian Henci.

“Në ndeshjen e parë, edhe pse fituam 7:2, u ankuam dhe fituam në tavolinë. Edhe për ndeshjen e dytë jemi ankuar dhe, edhe pse ka përfunduar kampionati i futsallit në Mal të Zi, në bazë të rregullores, ata lojtarë s’kanë pasur të drejtë loje. Kur një futbollist e zhvillon një ndeshje në kampionat tjetër, nuk ka të drejtë të paraqitet te një ekip tjetër për 15 ditë. Ndërsa lojtarët e lartpërmendur luajtën për ekipin pejan vetëm pas tri ditësh”, shpjegoi Henci.

Nëse janë refuzuar nga Komisioni i Futsallit i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), drejtuesit e FC Bamboo UAR besojnë se drejtësinë do ta çojnë në vend një instancë më e lartë: ata janë ankuar edhe në Komisionin për Ankesa të FFK-së. Kryetari i këtij Komisioni, Mexhid Syla, ka pranuar se e ka marrë dokumentacionin e ankesës, ndërsa njoftoi se vendimi definitiv do të merret të martën, në mbledhjen e Komisionit për Ankesa. Ndeshja e tretë dhe vendimtare, në mes të FC Bamboo UAR e Fc Space club Peja, është paraparë të zhvillohet të mërkurën, në rast se refuzohet sërish ankesa e prishtinasve. Fituesi i këtij çifti do të luajë në finale me kampionin në fuqi, Fenix nga Prizreni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›