E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendim personal

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, u është përgjigjur deklaratave që bëri të dielën nënkryetari Artan Rugova, pas letrës që mori FBK nga sekretari gjeneral i FIBA-s, Patrik Bauman.

Kreu i shtëpisë së basketbollit kosovar i vlerëson si çështje personale kritikat që i adresoi një ditë më parë drejtori i reprezentacioneve të Kosovës, sipas së cilit shkresa e arritur nga FIBA nuk është tjetër veçse qesharake dhe një injorim-mashtrim për klubet, lojtarët dhe basketbolldashësit kosovarë. Po ashtu, ai thoshte se kjo shkresë nuk e çon basketbollin kosovar asnjë hap përpara

“Ky është një mendim personal i tij dhe nuk është qëndrim i Bordit të FBK-së. Me siguri s’ka qenë në dijeni të përmbajtjes së plotë të letrës që kemi marrë nga FIBA, të cilën Bordi i FBK-së e ka publikuar në një konferencë për shtyp, e ku Artani nuk ishte pjesëmarrës, edhe pse ishte i ftuar. Në FBK ka demokraci kështu që secili ka të drejtë ta shfaqë mendimin e tij. Megjithatë, kjo është një çështje personale dhe nuk kam koment”, ka thënë Belegu.

Po ashtu, Rugova kishte kritikuar edhe FBK-në, për të cilën ka thënë se ka dështuar në aspektin e organizimit dhe të ndërkombëtarizimit, pasi, sipas tij, përkundër shpenzimeve të mëdha për vizita, lobime e shkresa, në fund merr një shkresë me tri pika pa asnjë favor për Kosovën.

Por, Belegu përmend se Rugova po ashtu ishte pjesë e organizimit brenda FBK-së. “Edhe vetë Artani ka qenë pjesë e delegacionit tonë në udhëtimet që kemi bërë për të lobuar për ndërkombëtarizim dhe është pjesë e organizmit të FBK-së”, ka shtuar shkurt Belegu.

Ditë më parë, FIBA kishte aprovuar tri kërkesa të FBK-së: të zhvillojë ndeshje miqësore me kategoritë deri në moshën 19 vjeçare pa simbol shtetëror, t’i mbajë klinikat për trajnerë dhe gjyqtarë kosovarë dhe të ndihmojë me pajisje sportive.

Për drejtuesit e FBK-së, ky është një hap drejt ndërkombëtarizmit të basketbollit kosovar.
Mirëpo, megjithëse ndan të njëjtin institucion me Belegun, Rugova mendon ndryshe. Ai konsideron se ajo që është ofruar nga FIBA jo vetëm që nuk është e arritur, por mund të vlerësohet edhe si hap prapa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›