E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankth e lot, por është Inter kampion

Mundën 1-0 Sienën pas 90 minutash vuajtje. Verdhekuqve nuk u mjafton fitorja 2-0 ndaj Kievos Milito shënon golin-titull për trofeun e 18-të zikaltër, Roma dorëzohet

Gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë. Ja, vjen dhe tetëmbëdhjeta. Nuk është një vazhdim numrash: akrepat shënonin 16.17, Zaneti penetron drejt zonës dhe pason për Militon. “Princi” nxjerr huq mbrojtësin me një lëvizje të thjeshtë të trupit dhe shënon me një gjuajtje diagonale. është goli që vlen titullin numër 18-të për Interin: Roma do të mbetej kampione vetëm për 36 minuta, goli i 22-të në kampionat i argjentinasit rikthen zikaltërit në krye me +2 pikë. Pastaj pak vuajtje, para thirrjes “kampionët e Italisë jemi ne”. Murinjo zbret në dhomat e zhveshjes, lojtarët festojnë në fushë, ndërsa montohet skena për dorëzimin e titullit. Ankthi ka marrë fund, por edhe mund të mos ketë përfunduar: ëndrra për "tripletë" vazhdon. Pas golit të Militos hyn në fushë e gjithë pankina (vetëm Murinjo e përmban veten), ndërsa ata që ishin në fushë përfundojnë poshtë ultrasve interistë. është një festë e parakohshme për titullin, e cila do të rinisë 30 minuta më vonë: është edhe një çlirim, sepse për një orë kishin pak frikë. Më 5 maj rrezikuan shumë: por nuk ka për të ndodhur më. Po nëse ndodh? Dyshimi bren zemrat e interistëve pas golave të Romës. Por për frikën mendon Milito: firma për titullin nuk kishte se si të ishte veçse e tij. Pritej një sulm i zellshëm që nga minuta e parë, ndërsa Interi e nis dhe e mbyll me ritme të ulëta gjithë pjesën e parë. Skuadra e Murinjo luante në modulin e zakonshëm 4-2-3-1 dhe krijon disa raste. Nisja e aksioni vjen gjithmonë nga e djathta, edhe me ndonjë kros të Maikonit, që shkon gati gjithmonë te Baloteli. Mario preferohet para Pandevit: provon me kokë, bën spondë për Militon, pastaj shpik një gjuajte të bukur që trondit traversën (38’). Portieri Kurçi bën katër pritje të bukura, të gjitha instiktive, por që ruajnë rezultatin për mrekulli. Lëvizja për zhbllokimin e rezultatit është sulmuesi i katërt. Pas golit ndërrohet menjëherë Baloteli dhe në vend të tij hyn Stankoviç. Me gjithë invazionin zikaltër, publiku i Sienës mbështet lojtarët e tij: në 15.41 gëzon për golin e Vuçiniç para dhe më pas dëshpërohet për rastet e humbura nga Ekdal e Jajalo, dhe irritohet për bombën nga larg të Makarones. Siena luan: jo për vdekje, por të paktën nuk toleron. Mund të jetë rastësi, por mes më aktivëve është Aleandro Rosi, verdhekuq në bashkëpronësi, që humbet rastin për të barazuar 1-1 me një gjuajtje kros. Nga Roma nuk mund t’i fajësojnë për asgjë atë dhe shokët e tij. Por në Verona nuk do të ketë festë: De Rosi me shokë janë përpjekur. Kjo është fitorja më e hidhur e Romës, por Interi ka fituar titullin e pestë radhazi dhe të 18-in në një histori 100-vjeçare nga 1910. Një histori-pushtim i Europës është projekti i ardhshëm, takimi është pas 6 ditësh.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›