E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza nga Kuçova, hetim edhe për stafin mjekësor

Prokuroria Veç mjekut, prokuroria po heton edhe ndihmësit e tij dhe infermierët

Zgjerohet rrethi i të hetuarve për ndërhyrjen kirurgjikale të gabuar ndaj adoleshentes nga Kuçova. Burimet policore shpjegojnë se i gjithë stafi mjekësor që është marrë me vajzën e re është nën hetim, për të gjetur përfundimisht se cilët janë të përfshirë në pakujdesinë e mjekimit ndaj saj. Sipas të dhënave, materialet janë referuar në prokurori dhe pritet që të shqyrtohen të gjitha të dhënat për të ngritur akuzat ndaj personave përgjegjës. Megjithatë, e gjithë kjo situatë ka sjellë mjaft shqetësime si për vajzën e re, Enxhi Praka, ashtu edhe për prindërit e saj, ku grupi hetimor është detyruar të vendosë një punonjës policie nga frika se ndokush mund të hakmerret ndaj tyre për shkak të denoncimit të bërë pranë organeve kompetente. E njëjta situatë ka vazhduar edhe ditën e djeshme, ndërkohë që pritet që vajza të këtë ndërhyrje tjetër kirurgjikale, këtë radhën në këmbën e sëmurë. Burimet nga prokuroria shpjeguan se fillimisht u denoncua vetëm mjeku Gjergji çaushi, i cili është pezulluar nga detyra, por nga marrja e dosjes në shqyrtim, nën hetim është vënë edhe stafi ndihmës ndaj tij. Hetimet do të nxjerrin në pah përfshirjen dhe fajësinë e gjithsecilit ndaj mjekimit të gabuar të vajzës së re, rikuperimi i së cilës mund të zgjasë deri në pesë vjet. Gjithçka ndodhi pas shkrimit të publikuar në “Shqip” të premten, ku denoncohej se një 15-vjeçare ishte bërë operim në këmbën e majtë, pavarësisht se sëmundjen e kishte në këmbën e djathtë. Nëna e saj, Edlira Praka, i është drejtuar policisë, duke denoncuar mjekun që kishte kryer këtë ndërhyrje të pakujdesshme. Oficerë të policisë gjyqësore dhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës kanë kontaktuar me vajzën nga Kuçova, Enxhi Praka, në gjendje jo të mirë shëndetësore, e cila ndihej e frikësuar nga situata e krijuar, por edhe pse shihej ndryshe nga mjekët. Ajo dhe prindërit u ka thënë hetuesve gjithçka ka ndodhur më 10 maj. Atë ditë, Enxhi Praka, 15 vjeçe, kishte ardhur nga Kuçova për t’u shtruar në spital.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›