Ankthi i lëndimit

Antonio Valencia mendoi se karriera e tij si futbollist kishte përfunduar, pas lëndimit të rëndë që pësoi gjashtë muaj më parë.
Mesfushori i Manchester Unitedit lëndoi nyjën e këmbës dhe dëmtoi ligamentet në një duel me mesfushorin e Rangers, Kirk Broadfoot gjatë përballjes së tyre në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Valencia dukej në dhimbje të mëdha derisa u bart jashtë fushës, ndërsa merrte oksigjen nga një cilindër dhe kishte një asht të nxjerrë nga këmba. Por, rikuperimi i reprezentuesit ekuadorian është tre muaj para afatit të caktuar dhe 25 vjeçari madje mendoi se do të jetë gati për ndeshjen çerekfinale në FA Cup kundër Arsenalit, të shtunën.
Ish mesfushori i Wiganit tani shpreson në realizimin e ëndrrës të paraqitet në Wembley në maj, në finale të Ligës së Kampionëve, pas qëndrimit jashtë fushës nga shtatori. “Lëndimi ishte momenti më i rëndë në karrierën time”, tha Valencia gjatë një interviste për tabloidin britanik The Sun.
“Dhimbja ishte e tmerrshme. Më kujtohet pamja e nyjës, një çarje e madhe. E gjithë familja ime vuajti, sidomos nëna ime. E di se të gjithë që ishin duke shikuar ndeshjen në televizion e përjetuan nga distanca ngjarjen e tmerrshme së bashku me mua. Më besoni, kurrë nuk dua të shoh xhirimin e përsëritur të asaj që ndodhi. Në atë moment, besoja se karriera ime kishte përfunduar, por doktorët më premtuan se do të kthehem dhe do të jem përsëri i lumtur. Broadfoot më kërkoi falje dhe ia kam pranuar. Operacioni shkoi mirë sikurse edhe rehabilitimi”, shtoi ai.
Manchester United ka nevojë për rikthimin e Valencias, sidomos pas dëmtimit të mesfushorit në formë Nani, i cili do të qëndrojë jashtë fushës për tri javë, ndërsa Park Ji-Sung ende nuk është rikuperuar. Skuadra e Sir Alex Fergusonin zhvillon ndeshje të rëndësishme kundër Olympique Marseille në Ligën e Kampionëve, Fulham dhe West Ham në Premierligë, kurse Valencia beson se mund të jep ndihmën e tij nëse kjo i kërkohet. “Në javët e fundit, klubi nuk deshi më të rrezikojë, por do të jem gati të luaj nëse trajneri më dëshiron.
Tani ëndrra ime është të përsëriti formën e sezonit të kaluar dhe të luaj në finalen e Ligës së Kampionëve. Kjo do të kompensonte lëndimin tim”, përfundoi Valencia.