E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojmë përpara

Nga Express më 13 mars 2011 në ora 12:53

Gareth Bale beson se Tottenham mund të shkojë edhe më larg në Ligën e Kampionëve, pas kualifikimit në çerekfinale.

Skuadra angleze të mërkurën mbrëma në White Hart Lane siguroi pjesëmarrjen në mesin e tetë ekipeve më të mira, duke ndalur Milanin në barazim pa gola dhe siguroi kalimin pas fitores me rezultat të përgjithshëm 1-0 nga ndeshja e parë në San Siro.

Pas triumfit në udhëtim te Milani, përfshirë fitoret e fazës së grupeve ndaj Interit, Twentes dhe Werder Bremenit, Tottenham është duke kaluar një aventurë të shkëlqyeshme në paraqitjen debutuese në garën elite të klubeve evropiane.

Mirëpo, Bale synon të arrijë sa më larg që është e mundur.

“Jemi në rrugë të mbarë në Ligën e Kampionëve dhe duam të vazhdojmë përpara. Është arritje shumë e madhe, faza më e madhe e futbollit të klubeve dhe të gjithë duan të dëshmohen kundër më të mirëve. Të kthehem përsëri në fushë nga lëndimi ishte diçka shumë e mirë për mua dhe jemi të lumtur që u kualifikuam për në çerekfinale. Është arritje e jashtëzakonshme”, tha Bale për Sky Sports News.

Finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet në Wembley më 28 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›