Probleme në volejboll
Volejbolli kosovar po ballafaqohet me probleme. Në fakt, shumë klube janë të pakënaqura me politikat e udhëheqësve të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK). Këta të fundit kanë kërkuar nga klubet që gjatët stinorit pranveror, i cili ka nis para dy javësh, t’i kryejnë obligimet ndaj gjyqtarëve.
Por, klubet nuk duan ta bëjnë një gjë të tillë, pasi fillimisht shtëpia e volejbollit kosovar kishte vendosur t’i kryejë vetë këto shpenzime, ndërsa tani e ka ndërruar mendjen. Kështu thotë zyrtari i Dritës së Gjilanit, Lorik Ilazi.
“Para se të zgjidhej udhëheqësia e re e FVK-së, gjatë ‘fushatës’ së tyre na patën premtuar se nëse i votojmë ata në Kuvendin Zgjedhor, klubet do të lirohen prej kootizimeve dhe nga pagesa e gjyqtarëve”, thotë Ilazi.
Sipas tij, vetëm gjatë disa javëve të stinorit vjeshtor, FVK-ja e kishte mbajtur këtë premtim. “Mirëpo, pak ditë para se të nisë stinori pranveror, FVK-ja kërkoi nga ne klubet që vetë t’i kryejmë shpenzimet ndaj gjyqtarëve”, tha Ilazi.
Ai pohon se klubet kosovare nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. “Klubet i kanë ndarë buxhetet dhe nuk kanë llogarit se FVK-ja do t’i ndërrojë fjalët dhe ne nuk e kemi ditur, në mënyrë që në ato planifikime buxhetore t’i fusim edhe pagesat për gjyqtarë dhe tani është e pamundur për ne t’i paguajmë gjyqtarët, sepse të gjitha klubet jemi në krizë”, vazhdoi ai.
Andaj ai theksoi se 16 klube kosovare prej kategorive të ndryshme kanë bërë kërkesë në FVK që ta mbajë premtimin dhe të lirohen nga këto obligime.
“Nga Superliga e meshkujve kemi bërë kërkesë këto klube: Drita, Prishtina, AKPA Te Luzha dhe Peja, kurse vetëm Theranda e Drenica R&Rukolli nuk na u kanë bashkuar. Ndërsa, në Superligën e femrave vetëm një klub nuk na u ka bashkuar në këtë kërkesë”, pohoi Ilazi.
Ai tha se nëse FVK-ja nuk e pranon këtë kërkesë, atëherë klubet nuk do ta njohin udhëheqësinë aktuale të volejbollit kosovar.
“Nëse nuk e pranojnë kërkesën tonë, udhëheqësia e FVK-së duhet të largohet. Përndryshe, ne si klube do të qëndrojmë prapa kërkesës tonë të drejt dhe kampionati do të prishet dhe përgjegjësinë do ta mbajnë udhëheqësit e FVK-së”, shtoi ai. Ilazi tha se FVK-ja nuk është dashur qysh në fillim të jap premtime të rrejshme dhe t’i mashtrojë klubet vetëm sa për përfitime të votave.
Ndërsa Gazeta Express ka provuar të kontaktojë të shtunën edhe me kryetarin e FVK-së, Xhavit Mustafa, dhe me nënkryetarin Naser Krasniqi, por kjo ka qenë e pamundur.