E Shtunë, 31 Tetor 2026

Annan e Assad pajtohen për përfundimin e përleshjeve

Emisari ndërkombëtar për konfliktin në Siri, Kofi Annan, tha se është pajtuar me presidentin e Sirisë, Bashar Al Assad, për qasjen rreth dhënies fund të dhunës në Siri.

Annan nuk dha detaje, por tha se do ta diskutojë këtë çështje edhe me opozitën e armatosur të vendit.

Komentet e tij, Annan i bëri para gazetarëve në kryeqytetin sirian, pas një takimi dy-orësh me Assadin.

Annan është arkitekt i një plani për paqe, ndërsa në intervistën e fundit dhënë medieve ndërkombëtare ai ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare ka qenë e paaftë ta gjejë një zgjidhje politike, për t’i ndalur përleshjet e përgjakshme në Siri.

Në anën tjetër, në një interviste për televizionin gjerman ARD, e treta për një media perëndimore, prej nisjes së trazirave marsin e 2011, Assad nënvizoi se "Amerika po bashkëpunon me terroristët”. Assad më tutje tha se nuk do të jep dorëheqje dhe se nuk i frikësohet sfidave.

Intervista u regjistrua të enjten ne Damask, nga televizioni shtetëror sirian. Assad ndër të tjera shtoi se “terroristët” në siri po ndihmohen edhe nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›