Anoreksia e ideve
Gjatë komunizmit “idetë” ishin pronë e partisë dhe intelektualët soc-komunistë ishin dele konformiste që përtypnin paqshëm silazhin e Shokut Enver; por pas rënies së regjimit idetë e çliruara nga burgu zhvilluan një sistem hallakatjeje të natyrshme. Në një tokë të djegur do kohë të mbijë bari. Veçse nga toka e përvëluar mbiu fara e keqe e pseudo-ideve, ku u zhvilluan më së shumti nga ish- fanatikët komunistë tashmë të konvertuar në demokratë të orës së parë për qëllime të natyrshme meskine, për të mos thënë të një panegjerizmi elitar ordiner. Sot edhe ato pak ide që zhvilluam pas ’90-s janë duke bërë dietë, aq sapo kthehen anoreksike, kockë e lëkurë. “E duam Shqipërinë si Europa” ishte një ide e mirë, për fat të keq po shndërrohet në abstraktin e një “integrimi europian”, që standardizon formalisht edhe traditën tonë ligjore (p.sh anashkalimi total i Kanuneve) me një kod ligjor shabllon (përgjigjja e pyetësorit të BE-së). Kush i ka analizuar problemet e risitë që do të sjellin ndryshimet legjislative që pyetësori kërkon në mënyrë të pakundërshtueshme? Na kërkohet për të hyrë në Europë të ri-bëhemi europianë, me një rrobë të re konformiste, kur ne me traditën folklorike jemi vetëm europianë, të ndryshëm por europianë. Sepse kemi të gjitha plagët që historia jo fort bujare na ka sjellë ndër shekuj. Gjykoj se ideja “e duam Shqipërinë si Europa” ishte ideja më largpamëse që mund të prodhohej në një situatë post-totalitariste lindore. Duke pasur të grisur kultin e besës sikur kemi hedhur poshtë kulturën e dyshimit që është karakteristikat kryesore të qytetërimit oksidental është aftësia për kritikë të vetvetes, të shoqërisë dhe të tendencës historike. Kujdes, jo autokritikë, që është paradhoma e vetakuzës, të instaluar nga komunizmi. Introspeksioni ndaj ngjarjeve historike, ndaj evenimenteve kulturore dhe supozimi ndaj të pritshmes kërkojnë patjetër hijen e dyshimit. Pa hije nuk ka njeri dhe hija e dyshimit pjell ide.Mekanizmi i të menduarit me kokën tonë është zhdukur pa lënë gjurmë, sot një mendon e një mijë e zbatojnë si neofitë të një dogme të re botërore: kapitalizmin. Idetë që çojnë përpara një shoqëri, që evoluojnë një komb, që transformojnë lirshëm kodet morale dhe etike padrejtësisht mungojnë. Nëse i kërkon ato nuk gjenden asgjëkund, as në kulturë, ekonomi, arsim, jo që jo në politikë. Më e rrezikshme është sot mungesa e filozofëve, të dijetarëve me diapazon ndërkombëtar, të intelektualëve me një diafragmë perëndimore pasi mund të biem lehtë pre e matrapazëve të ideve, guru-ve të shtetit, të mesianizmit politik, etj. Trafikantët e ideve kanë gjetur mënyrat e të asimiluarit pa qortuar modele të interpretimit të arsyeve politike, ekonomike dhe kulturore. Një mungesë që na ka bërë të jemi analfabetë intelektualisht, analfabetë në moral, po ashtu në emocione dhe ide.Mëmëdheu shqiptar nuk është më heroina e ditës. Të vetmen heroinë që shqiptarët kanë zbuluar është ajo e bardha që të atrofizon mendimet, për kënaqësinë e dashurisë së damarëve me një shiringe.Edhe problemi i pseudo-ideve që kemi sot nuk vjen nga idetë e shtrembra që kanë, por nga fytyrat që i sjellim mes nesh nëpërmjet medieve. Idetë konceptuale që kemi sot mbi sofër janë pa lidhje midis tyre, është e vështirë të sublimoj në rrudhat e trurit koncepte abstrakte si “integrimi”, “liria”, “korrupsioni”, “standardi”,”kadareizmi”, “kapitalizmi”. Qëkurse kanë humbur idetë e qytetërimit, të traditës, të së mirës, të tjetrit, të faljes, Shqipëria është më e varfër në interpretimin e të tashmesh dhe të pritshmes.Sot është koha që gazetari kosovar Tërshnjaku thoshte se është koha ku “mediokrit “shiten” për “intelektualë e politikanë të mëdhenj”, e intelektualët e mirëfilltë jetonin në zgrip të ekzistencës, të injoruar nga pushteti, nga institucionet shtetërore në përgjithësi” dhe po ta mendoni se po flet për kohën e Konicës, që është shumë e përafërt me kohën e sotme. Ankorimi ynë intelektual tek veprat e Nolit, Konicës, Gurakuqit e Frashërit, duke humbur edhe konceptin e neo-shqiptarizmës, është tregues i një inventari filozofik fort të vogël, krahasuar me shumë vende të tjera....