Anoreksia nervore dhe bulimia, sinjale të depresionit
• Çrregullimet e të ushqyerit: Anoreksia dhe bulimia, shpesh janë “sinjale” të një depresioni apo neuroze të fshehur.AIDA MALAJMjekët specialistë tërheqin vëmendjen që rastet dhe shenjat e para të trajtohen në kohën dhe mënyrën e duhur, për të bërë të mundur trajtimin e mirë të sëmundjes. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku neuropsikiatër, dr.shk. Et’hem Kolleshi, shpjegon se si mund të njihen dhe trajtohen këto probleme:Doktor çfarë është anoreksia nervore dhe nga se shkaktohet?Megjithëse mendimet shkencore ende nuk kanë arritur të shpjegojnë shkaqet e vërteta të kësaj patologjie, ka mendime të cilat anoreksinë nervore e kategorizojnë në grupin e neurozave histerike, ndërsa të tjera në gamën e gjerë të depresioneve të maskuara. Gjithsesi anoreksia, ose më mirë të shpreheshim ulja e oreksit, lidhet me shumë faktorë, të cilët nuk kanë lidhje me anoreksinë nervore. Një gjendje gripale e zakonshme, sëmundje të aparatit tretës, gjendje depresioni apo stresi, apo sëmundje të tjera të organizmit, mund të çojnë në shfaqjen e problemeve me oreksin.Sa e përhapur është?Kohët e fundit janë shtuar rastet e anoreksisë nervore dhe bulimisë. Anoreksia nervore ndeshet më shpesh në vajzat e rritura dhe gratë e reja, dhe më rrallë në seksin mashkull.Si shfaqet ky shqetësim?Kur bëhet fjalë për këtë patologji, në kuadrin klinik të saj përfshihen tri shenja kryesore: Anoreksi, ose ulje apo mungesë oreksi. Shenjë tjetër është dobësi trupore ose rënie në peshë në shkallë të ndryshme. Por nuk mungon dhe amenorea të vajzat (çrregullim apo ndërprerje e menstruacioneve). Fillimisht (sidomos te vajzat) vihet re se nuk u pëlqejnë disa lloje ushqimesh, pretendojnë për dietë të zgjedhur, hanë pak ose nuk shtrohen fare në tavolinë, ndërsa më vonë gati heqin dorë nga të ngrënit. Ankohen se kanë rëndim në stomak sapo konsumojnë diçka, kanë ndjenjën e të vjellit ose pas ngrënies, qoftë edhe në sasi të vogla, provokojnë vetë të vjellat. Duke qenë se refuzojnë ushqimin apo vakte të tëra i kalojnë pa ngrënë, dobësohen jashtë mase, por për habi e ndjejnë veten mirë fizikisht, dhe suportojnë edhe lodhjet fizike. Rënia e peshës mund të arrijë deri në ¼ e peshës trupore që kanë pasur, ndonjëherë edhe më tepër, por kjo për ato është e parëndësishme, çuditërisht janë aktive dhe nuk e ndjejnë lodhjen. Në këndvështrimin klinik, nuk paraqesin ankesa edhe pse i “tradhton” pamja, lëkura duket e fishkur dhe mund të kenë rënie të flokëve. Çrregullimet menstruale (dismenorea apo amenorea) nuk mund të konsiderohet shenjë domethënëse, sepse ata mund të ndodhin edhe jashtë kësaj patologjie, por në rastin e anoreksisë nervore ato nuk korrigjohen nga marrja e preparateve hormonale dhe menstruacionet rifillojnë kur e sëmura rimerr shëndetin e mëparshëm. Të sëmurat mund të vuajnë nga konstipacioni (kapsllëku) shenjë që do justifikohej nga mosushqyerja.A shërohen plotësisht këta të sëmurë?Ecuria e të sëmurëve me anoreksi nervore është e ndryshme nga një individ tek tjetri. Shumica e tyre shërohen plotësisht, një pjesë përmirësohen (pa përjashtuar përsëritjet në momente të veçanta). Gjithsesi ecuria varet shumë nga momenti i vendosjes së diagnozës, ndërgjegjësimi dhe trajtimi në kohën dhe mënyrën e duhur.Po në rastin e bulimisë, çfarë ankojnë të sëmurët?Parë në hollësi, anoreksia dhe bulimia, janë kahe të së njëjtit proces, megjithëse ekstreme të njëra-tjetrës. Bulimia është ngrënie e rastësishme (po e domosdoshme) e sasive të mëdha ushqimi në mënyrë të pakontrolluar. Rastet me bulimi janë shumë të rralla, eksepsionale. Sipas disa autorëve kalorazhi i marrë arrin deri në 50 mijë kalori, ndërkohë që në kushte normale ka nevojë për 3500 kalori. Në përgjithësi të sëmurët parapëlqejnë ëmbëlsirat, provokojnë vetë të vjellat ose ato mund të jenë reflektore nga mbingarkesa, pasi kanë ngrënë në mënyrë “të babëzitur”.