“Nudo edhe përmes depozitave mbi pallate”
• Për të ekzekutuar të dënuarin me vdekje nuk nevojitet më tepër se një çast, por për të ardhur tek ky çast, duhet të kalohet në një procedurë të tërë testimesh, verifikimesh, hamendësishme, faktesh……”.ANILA MEMA Kështu shkruan piktori Artur Muharremi, poshtë një autoportreti të tij, në albumin e sapobotuar me veprat e tij të kohëve të fundit. Është një nga piktorët që punon dhe ekspozon në “Muzuraj Muze”, ku pas dy ditësh do të çelë edhe ekspozitën e tij personale, vepra të punuara tre vitet e fundit. Dje gjatë një konference për shtyp, piktori i shoqëruar nga drejtori i muzeut, Moikom Zeqo dhe presidenti Edyart Mezuarj, bëri me dije punët e tij që do të qëndrojnë për disa kohë në ekspozitë. Kësaj here, pas një kohe të konsiderueshme që nuk ka ekspozuar, Muharremi vjen me një cikël të veçantë veprash, që përkojnë një linjë të tijën, me ngjyra të forta, të cilat, sipas piktorit, i ka përdorur për të rritur më tepër fuqinë shprehëse. Ajo që bie në sy në këtë ekspozitë është një cikël i veçantë nudosh, të cilat tregojnë një koncert të ri të kësaj pikture. “Është një cikël i veçantë i veprave ku përdoret nudoja, jo thjeshtë për të pikturuar nudon, por për ta sjellë atë në një koncept të ri, që të simbolizojë diçka të veçantë dhe të vendoset në mjedise të veçanta të qytetit, qofshin këto edhe tarracat e pallateve mes depozitave”, shprehet Muharremi. Këto punime të tij vijnë pas një periudhe të gjatë heshtjeje, por gjatë të cilës piktori ka punuar vrullshëm. “Krijimtaria e Artur Muharremit nuk mund të izolohet mbi një pjatëz mikroskopi. Ajo s’kuptohet dot pa kërkuar përtej saj pikat e takimit, që e bëjnë të ndërlidhur dhe nxjerrin në pah personalitetin dhe stilin e tij tipologjik”, shprehet Moikom Zeqo. Artisti shqiptar është ngjizur dhe ndërgjegjësuar në materien e kulturës sinkretike të vendit. Karakteristikat e artit të tij nuk mund të kuptohen vetëm me një optikë të hapët. Shquarja e të ndryshmes nuk është një çështje e një formulimi në vetvete, sado brilant që të jetë. Nudot e artistit janë të hajthme dhe delikate, me një bukuri të qetë herë-herë të shtangur, të brishta dhe të fuqishme në të njëjtën kohë. Sipas Zeqos, duket sikur nudot e Muharremit rindërtojnë pa u lodhur mitin antik të tre hireve - tre hyjneshave paralajmëruese që i njohin të papriturat e fatit me një qetësi shembullore dhe mençuri të padiskutueshme. “Askush nuk mund të thotë se këto nudo janë muzikante, edhe pse simbolet e muzikës shkrihen në figurën njerëzore. Këto nudo përçojnë një psikologjizëm, që e shoqëron gjithmonë artin e madh si një faktor fisnikërimi”, thotë ai. Por shpesh në tablotë e piktorit mund të shohësh figura fëmijësh. Kjo të sjell ndërmend pikturat e Esteban Morelos. Fëmijët janë të bukur dhe misteriozë njëherazi. Kanë një qetësi dhe çiltërsi që e bën mendimin inkandeshent. Ndërsa kompozimet e tij në format të vogël pëlqehen në mënyrë të veçantë, sepse i afrohen teknikës ikonografike dhe përmbajnë elemente ikonografikë. “Artur Muharremi krijon. Ai nuk mund të ndalet më. E në u dashtë kuptuar vepra e tij, duhen perfeksionuar sytë më parë”, shprehet Zeqo. Muharremi dhe krijimtaria Si artist Artur Muharemi është i veçantë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivele të larta integrimi. Ai paraqet botën që ka strukturuar midis kaosit. Veprimtaria krijuese e tij e dëshmon atë ai një artist të spikatur, krahas shumë artistëve të tjerë shqiptarë të njohur. Është i pari piktor që ka kontaktuar me “Muzeun Mezuraj”, i pari institucion privat i licencuar i artit shqiptar. Katalogu i piktorit, i cili përmban pothuajse gjithë veprat e tij, botim i “Mezuarj”, është një mundësi e pakufishme e një institucionalizimi të ri, ku statusi i artit dhe artistit marrin një vlerësim maksimal dhe gëzojnë shansin për të qenë të njohur në Shqipëri e në të gjithë botën e thesareve shpirtërore. “Është një cikël i veçantë i veprave ku përdoret nudoja, për ta sjellë atë në një koncept të ri, që të simbolizojë diçka të veçantë dhe të vendoset në mjedise të veçanta të qytetit, qofshin këto edhe tarracat e pallateve mes depozitave”