Antidroga aksion në Tiranë, në pranga 4 shpërndarës narkotikësh
• TIRANE – Arrestohen katër shpërndarësit e heroinës në kryeqytet, dy prej tyre vinin nga Durrësi. Zajmir Bani, 26 vjeç dhe Jashar Kiptiu, 27 vjeç, të dy banues në Durrës, janë ndaluar nga policia në afërsi të bulevardit “Dëshmorët e 4 Shkurtit” në Tiranë, pasditen e së hënës rreth orës 16:00. Sipas burimeve zyrtare, Bani dhe Kiptiu, prej disa ditësh ishin mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e antidrogës, pasi dyshoheshin për veprimtari shpërndarjeje dhe shitjeje të heroinës dhe marijuanës. Policia ka ndaluar dy shpërndarësit teksa ata po ia jepnin heroinën një përdoruesi. Gjatë kontrollit atyre u janë gjetur e sekuestruar shtatë doza heroinë, ndërsa në banesë policia u ka bllokuar një sasi prej rreth 100 gramë marijuanë. Ndërkaq po të hënën, policia ka ndaluar Arjan Ymerin, 27 vjeç, si dhe Arben Hysenaj, 27 vjeç, të dy nga Tirana. Sipas policisë, personat e ndaluar janë kapur në rrugën “Irfan Tomini”, rreth orës 18:30 të së hënës me një sasi 21 gr pluhur i dyshuar si lëndë heroine. Policia iu ka bllokuar një motor “Kavasaki”, si dhe dy telefona që mbaheshin prej tyre me vete. Në të dy operacionet të arrestuarit kanë pretenduar se ata ishin përdorues, por policia ka ndaluar ata pasi sasia e gjetur atyre ishte më e madhe nga sa mund të mbajë një përdorues.