Ari Han drejt Selanikut, vizitë surprizë Vangjelit
• Trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Ari Han, është nisur dje për në Selanik, për të kontaktuar me futbollistin e përfaqësueses Kristi Vangjeli, që aktivizohet në kampionatin grek me ekipin e Aris.Jetmir Halilaj Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk ka qenë në dijeni të vizitës së trajnerit, por është ndjerë tepër i kënaqur nga interesimi i tij duke thënë se kjo është një surprizë e bukur. “Nuk e dija që trajneri i Kombëtares do të vinte të më takonte, ka rrëfyer Vangjeli për ‘Panorama’. Vizita e tij më ngre moralin në këtë periudhë të vështirë që po kaloj, sepse u bë disa kohë që nuk luaj rregullisht. Një gjë e tillë është minus për çdo futbollist, kur vjen puna për në kombëtare, por fakti që trajneri Han do vijë të më takojë, tregon se është i interesuar për mua dhe njëkohësisht se më vlerëson. Sinqerisht, më bëhet qejfi që do të kem një takim me të dhe do të përpiqem që t’ia shpërblej konsideratën që ka me një punë sa më të mirë kur të grumbullohem me përfaqësuesen”. Situata te klubiKristi Vangjeli debutoi me përfaqësuesen shqiptare gjatë kohës që kuqezinjtë drejtoheshin nga Bariç. Atëherë ai ishte titullar i padiskutueshëm te Aris dhe gëzonte një formë shumë të mirë, gjë që e tregoi më pas edhe në ndeshjet me Kombëtaren. Aktualisht, ai e ka humbur vendin e titullarit në formacionin e Arisit, kjo për shkak se edhe trajneri serb Bajeviç nuk është përpjekur t’ia bëjë të lehta gjërat, sepse gjithnjë i ka vënë në dispozicion shumë pak hapësira. “Futbolli është i paparashikueshëm. Mund të jesh në formë të mirë dhe të qëndrosh në stol. Kjo periudhë ka qenë plot dritëhije, por unë shpresoj se gjërat do të përmirësohem. Nuk kam se çfarë të them në adresë të trajnerit Bajeviç, pasi është ai që i bën zgjedhjet dhe unë nuk kam se çfarë të bëj”, ka thënë Vangjeli. Gjatë merkatos së janarit, 23-vjeçari shqiptar ka pasur oferta nga disa klube të tjera greke, por ai ka preferuar të qëndrojë te Aris.