Zbardhja e pabesive komuniste, një emergjencë, që s’mbytet nga skemat mbi performancën e Sigurimit
Nuk ngjan aspak rastësi që i ashtuquajturi Ligji i Lustracionit është penguar nga e majta jonë, qoftë kur ka qenë në opozitë, qoftë në pushtet. Sipas meje, shkaku i gjithë zigzageve të periudhës së tranzicionit, zgjatur e stërzgjatur njëzet e ca vjet, përveç të tjerave dhe para së gjithash, duhet parë te mungesa e ligjit në fjalë. Vende të tjera të ish-Lindjes Komuniste, të cilat e kapërcyen pengesën e hapjes së dosjeve, sot nuk i kanë më problemet tona. Kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit, ish-sigurimsat e çfarëdo rangu, ish-veglat e tyre aktive etj. nuk do t’i kishim sot nëpër këmbë. Nuk do të kishim (e them me bindje) edhe ’97-n, me viktimat që shkaktoi qysh në pikënisje e në vijim ai vit i zi, me arkivat dhe kadastrat e djegura, me armët që qarkullojnë sot pa të keq poshtë e lart vendit. Tashti ec e t’u mbyllësh gojën “profesionalistëve” të Sigurimit të Shtetit. Gjej shesh e bëj përshesh, hidh gurin e fshih dorën, kush më shumë e kush më pak, secili syresh shkruan kujtime, jep intervista në shtypin e varur e të pavarur, thotë ç’të mundë e si t’i vijë në ca programe televizive të drejtuara prej kinse balancuesësh të opinioneve, të analizave politike, të informacionit gjithëpërfshirës etj. Katrahura s’ka anekënd. Në këtë katrahurë, me demek demokratike, helmin e nepërkave po e marrim pikë e nga një pikë. Do të vijë një ditë, mbase, që do të fitojmë imunitet ndaj helmit. Mbase do të na vijnë mendtë, por kam frikë se do të jetë vonë.
S’ka ca ditë, lexova një intervistë të Luan Pobratit, ish-kuadër i Sigurimit të Shtetit komunist, dhënë një të përditshmeje të Kryeqytetit. Nuk ka rëndësi se çfarë vendi zinte i intervistuari në hierarkinë e organeve të sigurimit në kohën e diktaturës ose më vonë në strukturat e qeverive të majta pas ‘97-s. Nuk ka rëndësi nëse para ’90-s detyra e tij ishte “legale” a “ilegale”, kur ka “punuar në strukturat e Sigurimit të Shtetit, duke mbuluar detyrën e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Turizmit për anën e Sigurimit”. Sipas tij, zotëri Probati, edhe se në struktura të quajtura “ilegale”, e ka kryer detyrën e vet sipas ligjeve në fuqi. Siç lë të nënkuptohet në intervistë, ai nuk i tejkaluar të drejtat dhe detyrimet ligjore. Sinqerisht, dëshiroj ta besoj dhe ta përgëzoj për këtë, duke uruar që sot të mos e brejë ndërgjegjja për të kaluarën. Çka më shqetëson në intervistën e tij, është fakti që ai, ka qenë kush ka qenë, ka bërë çfarë ka bërë, sot duhet të heshtte, edhe nëse theksin e intervistës së vet e vë te “100 vitet e shërbimit informativ” të cilat, sipas tij, “janë si 100 vitet e shtetit shqiptar”. Ka të drejtë, do të thosha, për sa i takon shumatores së viteve. Veç jo për të njëjtën trajektore, jo me të njëjtat pikësynime. Nëse brenda 100 viteve të Shtetit Shqiptar janë afro 50 vite të zinj të pushtetit komunist, është e qartë si drita e diellit se edhe brenda 100 viteve të shërbimit informativ dallojnë 50 vite të zinj të Sigurimit të Shtetit. Madje, që të jem i saktë, zezonën e Sigurimit të dikurshëm po e përjetojmë ende sot, duke qenë se strukturat e tij nuk u prekën as më 1991, me fillimin e proceseve demokratike, as më 1992, me ardhjen në pushtet të forcave demokratike, as më 1997, me rikthimin në pushtet të pinjollëve të diktaturës, as sot e kësaj dite. Përkundrazi, ato u kamufluan duke i bërë gjëmën vendit më 1997. Strukturat e tij u rrekën të na e bënin gjëmën me demonstratën e dhunshme të 21 janarit 2011. Ato nuk ndiejnë në nginjur të na kredhin e të na shohin në humnerë sa herë t’u vijë rasti.
I intervistuari, ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit, pranon se paska pasur tejkalime “për sa i përket gjithë çka ndodhur në historinë 50-vjeçare të sistemit komunist, brenda një lufte të madhe klasore... Pra ka pasur burgime, internime dhe pushkatime, herë-herë të padrejta dhe jo të mbështetura në ligj”. Në vijim, ai përmend si tejkalim “të pushkatuarit e bombës në Ambasadën Ruse”. E pamjaftueshme. Për mua, kësaj i thonë “më ka çue nana, me la gojën”. Po cili është sot ai shqiptar që nuk e di se diktatura ka pushkatuar, ka burgosur, ka internuar mijëra njerëz të pafajshëm me gjyqe të sajuara ose pa gjyqe fare? Nga ana tjetër, ishte apo nuk ishte tejkalim angazhimi i shërbimit informativ në luftën klasore që ka karakter politik dhe që s’ka lidhje fare me përkufizimin klasik të një shërbimi informativ?
Unë nuk arrij të kuptoj nëse Pobrati i beson vërtet shprehjes “herë-herë” apo përpiqet të fshihet pas gishtit, për të nxjerrë të larë shërbimin informativ të cilit i ka shërbyer. Për fatin e tij të keq, ai bëhet i pabesueshëm në këtë rast në përbetimet e tij për sterilitet vetjak. A i di ai shifrat e bëra publike të të pushtuarve, të të burgosurve, të të internuarve? Ç’do të thotë në këtë rast me shprehjen “herë-herë”? Le t’ia bëjmë qejfin dhe ta marrim thënien e tij si gjysmë ashtu e gjysmë kështu, domethënë gjysma e të dënuarve mbështetur në ligj e gjysma jashtë ligjit. Mirëpo kush përgjigjet për këtë shkelje të ligjit? Ata nuk janë as dhjetëra, as qindra. Ata janë mijëra e dhjetëra mijëra. Le të na gjejë kush një vend në hapësirën ish-komuniste që të ketë pasur kaq shumë të ndëshkuar politikisht për frymë, sa tek ne. Dhe të mos harrojmë se kjo luftë politike nuk ka ndodhur “herë-herë”, por në mënyrë ta vazhdueshme, pavarësisht dhjetëvjeçarëve më pranë 1944-s ose 1991-së. Pasi të ketë sqaruar këto, është e drejta e zotërisë t’u hyjë diskutimeve të tjera, si, fjala vjen, cili brez i punonjësve të Sigurimit duhet të paguajë “brezi i punonjësve të Sigurimit që ka qenë pjesë e tejkalimeve” apo brezi i tij.
Në këtë pikë, ish-zëvendësdrejtori i Turizmit për problemet e Sigurimit, bie në kontradiktë me vetveten kur përpiqet të vlerësojë ngjarje të viteve ’50. Sipas tij, në fillim të viteve ‘50, shërbimet sekrete u vunë përballë një situate mjaft delikate “me organizmin e një kryengritjeje të armatosur”, nga ana e të huajve, çka, gjithnjë sipas tij, do të shkaktonte gjakderdhje dhe bota do të ndërhynte të jetësonte synimet e saj, përmbysjen e regjimit komunist. Ndonëse arkivat sot janë hapur dhe ndonëse është shkruar gjatë për shumë ngjarje ose për shumë personazhe të atyre viteve, historia ende nuk e ka thënë mjaftueshëm fjalën e vet. Kjo është detyrë e historianëve, në radhë të parë, por edhe të aktorëve të atyre viteve, mbetur ende gjallë. Se sa gjak është derdhur atyre viteve ose më pas, gjatë regjimit komunist, sa do të ishte derdhur po të mos kishin ndodhur ato çka ndodhën dhe që tashmë dihen, këtë nuk është vështirë ta marrim dot me mend. Mjaft të mos e shohim të kaluarën përmes syzeve të Sigurimit, por përmes fakteve të gjalla. Zotëria, si “profesionalist” i një fushe tjetër, ngutet kur kërkon të vërë vulën e së vërtetës për viktimat e shkaktuara nga regjimi komunist në përpjekje për të mbytur në gjak nacionalizmin shqiptar, si kundërshtarin e vetëm politik të asaj kohe.
Edhe në këtë rast dhe nga i njëjti këndvështrim, përpara se historia të vlerësojë ngjarjet e kohës, nuk do t’ia vlente të hyje në diskutim nëse ata punonjës të shërbimit sekret të Enver Hoxhës, ndërkallur në radhët e çetave nacionaliste, ishin “idealistë” apo jo. “Idealistë”, po për çfarë? Për luftë vëllavrasëse? Nuk dua të zë ngoje emra njerëzish që sot nuk i përkasin botës sonë, por tjetrës. Ata le t’i lëmë të prehen në përjetësi. Ama askush nuk ka të drejtë të përbaltë kodet tona zakonore. Të tillët, kodet tona i njollosin me nofkën e “të pabesit”. Dhe Sigurimi, të cilin zotëria rreket ta marrë në mbrojtje, në themel të punës së vet kishte pabesinë.
Në këtë kudhër, pra, të na kishin rrahur çekanët e proceseve demokratike, në kudhrën e zbardhjes së pabesisë, çka, në fund të fundit, është e lidhur pazgjidhshmërisht me hapjen e dosjeve, të cilat bash bijtë e etërve që i krijuan, duan t’i kyçin me shtatë palë kyçe. Përndryshe, në mos Pobrati, i cili paska dijeni për katër ministra të jashtëm ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, një tjetër, sikurse ai, kushedi çfarë do të na nxjerrë nesër-pasnesër. Të vërteta ose të pavërteta, duke qenë edhe të dhimbshme, ato zënë vend në mendjet e njerëzve, ngjallin mosbesim ndaj ecurisë së reformave, vonojnë afrimin e Shqipërisë me botën e përparuar demokratike. Ligji për Lustracionin është ndër më të domosdoshmit, ndër më imediatët.