E Shtunë, 31 Tetor 2026

Indonezia u bën apel ndërkombëtarëve për ndihmë

Indonezia i ka bërë apel komunitetit ndërkombëtar për dërgimin sa më të shpejtë të skuadrave të shpëtimit për të ndihmuar në operacionet e kërkimit të të humburve pas tërmetit të tmerrshëm që të mërkurën goditi ishullin e Sumatrës. Sipas koordinatorit të ndihmave humanitare në Kombet e Bashkuara, John Holmes, bilanci i viktimave në vend ka arritur numrin 1100. Të plagosurit janë rreth 2100, ndërsa numri i atyre nën gërmadha rreth 3000. Në qytetin e Padangut, më i shkatërruari nga tërmeti 7.6 ballë, era që vjen nga ndërtesat e rëna ka shtuar më tej frikën e një rreziku shëndetësor dhe epidemive të mundshme. Situata në fshatra nuk është më e njëjta: janë me mijëra personat e pastrehë dhe të paushqyer që detyrohen të flenë në ajër të pastër. "Problemi kryesor është se ka ende shumë persona të mbetur nën gërmadha. Kemi nevojë për ndihmë nga jashtë. Është urgjente nevoja e skuadrave të shpëtimit", ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Siti Fadilah Supari. Shumë fshatra dhe qytete përreth janë pa ujë dhe energji elektrike. Situata në vend është krejtësisht jashtë kontrollit. Për një kohë të gjatë, gjeologët kishin paralajmëruar se Padang, një qytet me 900.000 banorë, një ditë do të shkatërrohej plotësisht nga tërmeti për shkak të pozicionit të tij gjeografik. Por në këtë skenar dhimbjeje dhe shkatërrimi vijnë edhe lajme pozitiv. Skuadrat e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë një student 19-vjeçar nga gërmadhat e një shkolle 40 orë pas tërmetit. Ratna Kurniasari Virgou u nxor i gjallë dhe ishte plotësisht i ndërgjegjshëm. Skuadrat e shpëtimit po shpresojnë ende për ndonjë person të gjallë mes mijave të humburve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›