E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e BE-së, në duart e Irlandës

Irlanda i është kthyer sërish dje votimeve për Traktatin e Lisbonës. Tre milionë votuesit vendas janë thirrur për të dytën herë për të vendosur mbi ratifikimin e traktatit që duhet të reformojë funksionimin e Bashkimit Europian. Ky është votimi i dytë për irlandezët brenda 18 muajve, pasi vitin e kaluar ai u hodh poshtë nga 53.4 për qind e votuesve. Kjo votë është cilësuar me një rëndësi të veçantë, pasi nëse nuk arrihet të merret "po"-ja e dëshiruar, traktati do të "varroset" përgjithmonë. Dje, në të gjithë vendin, qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 të mëngjesit me orën lokale dhe do të mbyllen në orën 10:00 të mbrëmjes. Numërimi do të fillojë sot në orën 9:00 të mëngjesit në Kështjellën e Dublinit, ku do të dalin edhe rezultatet e para të 43 distrikteve elektorale. Sondazhet e fundit në vend tregojnë se Irlanda kësaj here do ta ratifikojë Traktatin e Lisbonës, por në frontin e udhëhequr nga Kryeministri irlandez, Brian Cowen, thonë se duhet të jenë të kujdesshëm. Një "jo" e dytë do të kishte vërtet pasoja të rënda mbi procesin e reformimit të Bashkimit Europian. Vetë Cowen ka pranuar se bëhet fjalë për "një nga vendimet më të rëndësishme të historisë sonë, sepse nuk do të ketë një mundësi të dytë". Liderët europianë po presin me ankth rezultatet, duke shpresuar fundin e pengesave kushtetuese ku gjendet BE. Irlanda është vendi i vetëm i detyruar nga Kushtetuta që ta kalojë traktatin në referendum para se ta konvertojë në ligj. Sipas asaj që është publikuar në gazetën "Sunday Business Post", në fundin e javës së shkuar, numri i atyre që ishin pro traktatit kapte shifrën e 55 përqindëshit, kundrejt 27 që ishin kundër. Përveç garancive të ofruara nga Brukseli se nuk do të preken çështje të tilla, si taksat, aborti dhe neutraliteti mendohet se ajo që do t‘i shtyjë zgjedhësit irlandezë drejt kutive të votimit do të jetë kriza ekonomike. Situata ekonomike në vend është e rëndë, ndërsa papunësia ka kapur shifrat 15 për qind, tre herë më shumë se në 2008-ën. Nëse traktati merr pëlqimin e irlandezëve, atëherë do ketë edhe një emërim të shpejtë të Toni Blerit si president i BE-së. Përkrahësit e traktatit mbështesin faktin se pa 120 miliardë euro të dhëna nga Banka Qendrore Europiane institucionet bankare irlandeze do të ishin detyruar të mbylleshin. Të gjitha partitë kryesore janë pro ratifikimit të tij, por e vetmja frikë është momenti i keq dhe popullariteti i ulët që po kalon Kryeministri Cowen. Shumë prej qytetarëve vendas e konsiderojnë atë përgjegjës për krizën ekonomike pas viteve të tëra bumi. Ndërkaq Presidenti polak, Lech Kaczynski, mund të firmosë Traktatin e Lisbonës brenda mesit të javës tjetër, nëse Irlanda do të votojë "pozitivisht". Kështu ka deklaruar një bashkëpunëtor i ngushtë i Kaczynskit në të përditshmen "Dziennik". Gazeta citon disa deklarata të ndryshme të Presidentit polak, që e ka kushtëzuar firmën për traktatin e Lisbonës në pritje të "po"-së së referendumit irlandez. Firma e Presidentit është e rëndësishme për t‘i dhënë fund procesit të ratifikimit të traktatit nga Polonia. Parlamenti i Varshavës votoi në favor të ratifikimit të tij prillin e shkuar. Në prill të këtij viti, ishte Gjermania që e ratifikoi Traktatin e Lisbonës. Ai nuk mund të hyjë në fuqi e pa u ratifikuar nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe konsiderohet nga kundërshtarët e tij si një axhendë që synon federalizmin dhe nëpërkëmbjen e sovraniteteve kombëtare të vendeve të organizatës.

Tre milionë votuesit vendas janë thirrur për të dytën herë brenda 18 muajve për të vendosur mbi ratifikimin e traktatit që duhet të reformojë funksionimin e Bashkimit Europian

Kryeministri Cowen ka pranuar se bëhet fjalë për "një nga vendimet më të rëndësishme të historisë sonë, sepse nuk do të ketë një mundësi të dytë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›