E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli liron 19 të burgosura palestineze, në këmbim të videos së ushtarit të rrëmbyer

Marrëveshja e gjatë mes Hamasit dhe Izraelit për shkëmbimin e të burgosurve ka kaluar një provë delikate, kur Izraeli ka arritur të marrë në dorë një filmim të shkurtër të ushtarit Ghilad Shalit, ku djaloshi duket që është gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Pas kësaj, Izraeli ka liruar menjëherë 19 të burgosura palestineze. Filmimi i Hamasit, që zgjat më shumë se dy minuta, është prova konkrete se ushtari i rrëmbyer nga një komandë palestineze në qershorin e vitit 2006, që mbahet në një vend sekret, është gjallë. Sipas videos që është transmetuar në të gjitha televizionet izraelite, ushtari duket në gjendje të mirë shëndetësore. Ai mban në dorë gazetën e Hamasit, "Falastian", të datës 14 shtator, i veshur me një uniformë jeshile dhe në gjuhën hebreje i bën apel qeverisë izraelite të mbyllë sa më shpejt që të jetë e mundur marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve. Aty 22-vjeçari pranon se është trajtuar "në mënyrë të shkëlqyer" nga Hamasi. "Prej një kohe të gjatë jam duke pritur ditën se kur mund të lirohem. Jam mirë me shëndet dhe jam trajtuar shumë mirë", thotë ai. Duke folur më tej për familjen shton: "Më mungojnë shumë dhe mezi po pres që t‘i takoj sërish". Për familjarët e tij, një minutë filmin do të thotë fundi i tre viteve pritjeje dhe ankthi mbi fatin e të birit.

Në fund ,ai ngrihet nga një karrige, ecën drejt telekamerave për të treguar se edhe këmbët e tij janë në gjendje të mirë. Mëngjesin e ditës së djeshme, ndërmjetësi gjerman i ka dorëzuar këtë video izraelitëve. Më pas është vënë në dijeni edhe Kryeministri Netanjahu. Për momentin nuk ka bërë asnjë deklaratë, nëse filmimi do t‘i dorëzohet familjes së Shalit. Pasi janë siguruar për autenticitetin e regjistrimit, Izraeli ka lëshuar menjëherë 19 të burgosurat politike që menjëherë janë marrë në dorëzim nga autoriteti kombëtar palestinez. Për to u organizua një ceremoni mirëseardhje në Muqata, zyra e Presidentit Abu Mazen në Ramallah. Nga ana e tij, Hamasi po mobilizon ushtarët për të pritur Fatma al-Zaq, të burgosurën tjetër të liruar bashkë me djalin thuajse një vjeç që lindi në burg. Në komentet e shtypit pranohet se ngjarjet e tanishme përfaqësojnë një provë të përgjithshme në prag të një shkëmbimi të burgosurish, për të cilën po punon ndërmjetësi gjerman. Tratativat për lirimin e ushtarit Shalit nga duart e Hamasit "do të jenë ende të gjata dhe plot pengesa", thotë Kryeministri Netanjahu në një komunikatë për shtyp. "Është e rëndësishme që e gjithë bota ta marrë vesh se ai është gjallë dhe se Hamasi është përgjegjës për fatin e tij", u shpreh Kryeministri izraelit. Shalit u kap nga ushtarët palestinezë në Rripin e Gazën më 25 qershor të vitit 2006, kur ishte vetëm 19 vjeç. Izraeli dhe Hamasi kanë negociuar për lirimin tij me pjesëmarrjen e negociatorëve nga Gjermania dhe Egjipti, por bisedimet kanë nisur dhe janë pezulluar shumë herë. Liria e Shalit është bërë kusht për Izraelin për t‘i dhënë fund bllokadës në Gaza, që e ka dëmtuar shumë ekonomikisht territorin palestinez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›