E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ansamblet e Tiranës, surprizë në kalanë e Gjirokastrës

Kur në ambientet e kinema "Agimi" në kryeqytet u zhvillua prezantimi i vlerave folklorike, me të cilat Qarku i Tiranës do të prezantohet në festivalin folklorik kombëtar "Gjirokastra 2009", specialistët e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike i habiti jo vetëm prurja e një materiali të bollshëm dhe autentik, interpretimi i përkryer, por edhe prezantimi i grupeve të këtij qarku të organizuar në ansamble artistike. Ky prezantim me ansamble të konsoliduara është dëshmi pozitive e një vlerësimi nga ana e strukturave të qeverisjes vendore për trashëgiminë shpirtërore, që ka për qëllim jo vetëm përfaqësimin një herë në 4-5 vjet në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, por për një organizim të qëndrueshëm e të përhershëm të potencialeve kulturore të këtyre zonave me një pasuri e larmi të jashtëzakonshme folklorike. Sipas të dhënave që ka gazeta e festivalit, Qarku i Tiranës, përfshin në grupin e tij konkurrues ansamble folklorike me emër si ai i Dajtit, Prezës, Kavajës, Petrelës, Zallbastarit, Kërrabës e të tjerë. Nga ky grup pritet një performancë e përkryer nga pikëpamja artistike, një program i pasur dhe me një kostumografi tradicionale në elemente, por të re e të bukur në pamje. Mësohet se koreografi i njohur, prof. dr. Ramazan Bogdani është udhëheqësi artistik i grupit të Qarkut të Tiranës. Para nisjes për në Gjirokastër, Tahsim Mema, kryetar i Këshillit të Qarkut, na bën të ditur se është bërë një punë e madhe nga ana e drejtuesve, për një përgatitje maksimale për këtë festival. Veç Ansamblit të Tiranës, dje në mbrëmje në natën e parë të festivalit u ngjitën edhe grupi i Korçës, si edhe ai i Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›