Blushi dhe Malaj ripërsërisin thirrjen ndaj socialistëve që të bojkotojnë votimin e sotëm
Gara për kreun e ri ka tensionuar marrëdhëniet brenda Partisë Socialiste. Përfaqësues të “Lëvizjes për mendim ndryshe” në këtë parti, Ben Blushi dhe Arben Malaj thanë se procesi i zgjedhjes së kreut të ri është i kompromentuar, për shkak të presionit që sipas tyre po kryen Edi Rama ndaj komisionerëve.
“Ka sinjale nga të gjitha rrethet që ato zgjedhje nuk po menaxhohen siç do duhej për të krijuar një diferencë mes mënyrës së si u zhvilluan zgjedhjet në 28 qershor dhe zgjedhjeve brenda PS. Komisionerë që mendojnë ndryshe nga një pjesë e Partisë socialiste janë shkarkuar në mënyrë arbitrare. Kjo garë nuk dha për fat të keq garancitë që prisnim”, u shpreh Blushi.
Blushi dhe Malaj thanë se do të hyjnë në kuvend nëse e kërkojnë nevojat e vendit.
“Në qoftë se një ditë Shqipëria do të ketë nevojë të mbështetet në reformat që nxitin dhe përshpejtojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë ne do të marrim vendimet e duhura në favor të Shqipërisë por në asnjë rast në favor të qeverisë apo të Sali Berishës” nënvizoi Ben Blushi.
Rama e Lakrori janë dy kandidatët në një garë të gënjeshtërt, për të cilët do të votohet në 400 qendra votimi të ngritura pranë njësive vendore në të gjithë vendin.