E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë barriera mes tyre”

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha takon ministrin e Administratës Publike të Kosovës, Arsim Bajrami

Ministri i Punëve të Brendshme Lulzim Basha vlerësoi dje stadin e tanishëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e shkëmbimit të përvojave për mirëfunksionimin dhe fuqizimin e administratës publike në të dy vendet e ndërkohë theksoi nevojën e shtrirjes së këtij bashkëpunimi në të gjitha nivelet me qëllim përfitimin e përvojave të dyanshme. Gjatë takimit, një vëmendje të veçantë ministri Basha i kushtoi reformave të qeverisë shqiptare për një qeverisje të vogël, moderne, të përballueshme për taksapaguesit shqiptarë, çka sjell uljen e shpenzimeve dhe kostove të panevojshme, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në mënyrë të veçantë rritjen transparencës ndaj publikut.
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha rikonfirmoi në takim si një prioritet të rëndësishëm të qeverisë Berisha, njehsimin e standardeve dhe praktikave mes Shqipërisë dhe Kosovës që do t’i shërbejnë eleminimit të barrierave mes tyre si dhe integrimit në Bashkimin Europian.
“Ne do të angazhohemi për të kaluar çdo pengesë në drejtim të njehsimit të standardeve europiane në administratën tonë publike, në fushën e prokurimeve, në procesin e trajnimit dhe rekrutimeve në administratën publike për të përafruar objektivat tona për maksimalizimin e këtyre standardeve, përmirësimin e qeverisjes dhe ecjen përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Europian”, u shpreh ministri Basha.
Nga ana e tij, ministri i Administratës Publike të Kosovës Arsim Bajrami përgëzoi fillimisht Ministrin Basha për marrjen e detyrës së re. Duke sjellë në vëmendje dhe vlerësuar kontributin e z. Basha në detyrat e tij të mëparshme për procesin e pavarësimit dhe njohjes së Republikës së Kosovës, shprehu bindjen se bashkëpunimi në vijim mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe institucioneve dhe qeverisë së Kosovës do të njohë nivele edhe më të larta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›