Edi Rama linçoi Metën për aleancë me të djathtët, ndërkohë që vetë predikon marrëdhëniet përtej së djathtës

Edi Rama, nga nevoja për t’i mbushur mendjen vetes për sa më shumë argumente, pse nuk duhet të njohë zgjedhjet e 28 qershorit, shpik dhe krijon aleanca virtuale me forca politike, pa asnjë përfaqësim në Parlament. Por këtu, në këtë pikë, nga nevoja “për të vënë vetulla, nxjerr dhe sytë”.
Jo më larg se dje, ai artikuloi me gojën e tij, jo aq për inat të Fatos Nanos, se sa për të trimëruar veten, krijimin e një koalicioni të gjerë ndërpartiak, me parti të majat e të djathta. Këtu me siguri kishte parasysh partinë e Spartak Ngjelës, emrin dhe inicialet e së cilës nuk i mban mend njeri.
E pra, ai Edi Rama, që nuk ka reshtur pa shprehur zemërimin e tij, pse Ilir Meta dhe partia e tij e majtë, bashkëpunoi me Sali Berishën dhe partinë e tij të djathtë, nga dje, ka harruar “linçimin” në kufijtë e “sakrilegjit” të kreut të LSI-së, dhe vetë, si i drejtues i një partie të majtë, nuk e ka për gjë të bashkëpunojë me një parti të djathtë, sikurse është partia e Spartak Ngjelës, paçka se kjo parti ka marrë vetëm diçka më shumë se 4 mijë vota në 28 qershor 2009, ndërsa në Tiranë ka marrë vetëm 809 vota, saktësisht 53 vota më shumë nga kandidati i pavarur Abdullah Omuri.
Sigurisht, ambicia e djeshme e artikuluar prej Edi Ramës, për koalicion me Spartak Ngjelën, është më shumë se sa qesharake. Sepse, Edi Rama, realisht ka më shumë nevojë për votat e kandidatit të pavarur Abdullah Omurit, se sa për votat e partisë së Spartak Ngjelës, për faktin e thjeshtë se Omuri ka më pak kosto dhe më shumë rendiment. Edi Rama, mbase nuk e di se Ngjela në Tiranë konkurron “denjësisht” vetëm me një kandidat të pavarur, por di gjithsesi, se më shumë se sa për mbi 4 mijë votat e Saprtak Ngjelës, ka nevojë për shtimin në listën e aleatëve, me një sigël partie, paçka se i duhet “të lëpijë ato që ka pështyrë” për koalicionin e siglës së majtë të LSI-së, me siglën e djathtë të PD-së. Brenda teorisë së tij “përtej të majtës e të djathtës” Edi Rama është në rregull, problemi është se si do e komentojë ai tani e tutje faktin se mbi 4 mijë zemra të djathta, falë sharlatanizmit të Spartak Ngjelës, po kalojnë majtas.
Vërtet të ketë Edi Rama kaq shumë nevojë për Spartak Ngjelën. Ndoshta edhe ka, ndaj edhe ia vodhi votat disa vite më parë, në garën për kryetar bashkie të kryeqytetit.
Problemi është e di Ngjela, se mos nesër, pasnesër, pastjetër..., ankohet se Edi Rama i vodhi edhe 809 votat e fundit që atij i kishin ngelur në Tiranë...