E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirreille, një triumf për Inva Mulën

Nicolas Joel, i cili mori drejtimin e Operës Kombëtare të Parisit në gusht, e ka përuruar drejtimin e ri javën e shkuar me një produksion të ri, operën "Mireille" të Gounod. Kjo operë e këndshme dhe e thjeshtë, e vendosur në Provence, duket se është një mekanizëm i menduar për të bërë një paraqitje artistike, njëkohësisht edhe një zgjedhje për të punuar, një stil që duket se do të shënojë edhe një shkëputje nga drejtimi i mëparshëm provokativ i paraardhësit të zotit Joel, Gerard Mortier. "Bota u kthye paksa kokëposhtë", shkruan "Le Monde", duke theksuar se opera "konservative" Metropolitan Opera, në çeljen e sezonit të kësaj jave zgjodhi për të vënë në skenë "Toskën", nën drejtimin e zviceranit të guximshëm Luc Bondy, ndërkohë që Opera e Parisit prezantoi një produksion që vet zoti Joel e konsideroi si një "shkëputje nga operat e dala mode". Zoti Mortier, i cili vendosi të vazhdonte karrierën e tij në Madrid në vend të Operës së Nju Jorkut, ka ngjallur disa herë debate, përfshirë këtu edhe diskutimet e tij mbi kompozitorët e operave. Duke mos qenë admirues i Puçinit apo Shtrausit, Mortier e ka cilësuar Gounod si një kompozitor të muzikës së keqe, i cili nuk meritoi një vend në Festivalin e Salsburgut, ndërsa kompozitori i "Romeo dhe Zhulieta" ishte atje në 2008-ën. Zgjedhja e zotit Joel për të hapur sezonin me një opera që përgjithësisht, artistikisht konsiderohet një shkallë më ulët se "Romeo", tingëllon si një qortim ndaj paraardhësit të tij. Bazuar në poemën epike të Frederic Mistral të vitit 1861, "Mirèio", e cila qarkulloi gjerësisht në Francë si një botim dygjuhësh, "Mireille" tregon historinë e një vajze fshati, Mireille, e cila pasi mëson se i dashuri i saj Vincent është plagosur rëndë, përshkon pllajën e thatë Crau nën një diell të zjarrtë dhe vdes në krahët e tij.

"Mireille" nuk u prit shumë mirë në premierën e parë të saj në vitin 1864 në Teatrin Lirik, dhe që atëherë ka njohur vetëm pak popullaritet, pavarësisht disa sukseseve në fillim të 1930-ës në Operën Komike, me një variant të kompozitorit të muzikës së lehtë Reynaldo Hahn. Prodhimi aktual është Opera e Parë. Dobësitë e operës mund të dallohen me lehtësi. Gounod rrallë e mbërthen dëgjuesin pas ngjarjeve të dramës dhe kur personazhi i Mireille nuk është në skenë, pjesa tjetër zgjon pak interes për publikun. Akti i tretë, nga pesë që ka kjo operë, në të cilin Mireille refuzon me një sfurk tridhëmbësh atë që plagosi të dashurin e saj, tingëllon veçanërisht i dobët teksa Gounod është përpjekur të tërheqë vëmendjen me muzikën e kësaj skene të vendosur në Val d‘Enfer.

Por "Mireille" ka pikat e saj të forta. Ashtu si "Carmen", që e pasoi për më shumë se një dekadë, është e pasur me ngjyra krahinore, të arritura përmes valleve karakteristike dhe mjeteve të tjera muzikore. Gounod e korrigjon me melodi mungesën e aftësisë dramatike. Ndërsa roli kryesor është një "akt heroik" për sopranon si në skenat solo ashtu edhe në ansambël, siç është finalja e aktit të dytë, ku Mireille qëndron në këmbët e të atit pasi ai ka refuzuar kërkesën e Vincent për dorën e saj. Më e mira e të gjithave është skena e saj e vdekjes, një hyjnizim i madh gjatë të cilit Mireille ka vizione të shenjtorëve që e presin në parajsë. Është një pjesë operistike tronditëse, e cila të bën të derdhësh lot. Roli është një triumf për sopranon shqiptare Inva Mula, soprano me një sens të mprehtë dramatik, bindje që zoti Joel e kishte për të që në angazhimet që i kishte ofruar kur drejtonte Operën e Tuluzës. Disa kritikë e cilësuan si dobësi këtë tipizim që Mula i bën karakterit në arian "En marche!". Sipas tyre karakteri që shfaqet aq luftarak gjatë përshkimit të pllajës Crau nuk i përshtatet një vajze provinciale. Por Inva Mula e këndoi shkëlqyeshëm: zëri kishte amplitudën e duhur, fokus të këndshëm si dhe një shpërfillje pikante që tingëllonte këndshëm në operën franceze. Dekori i realizuar nga skuadra veterane e Ezio Frigerio dhe Franca Squarciapino, të njohur për tradicionalen e tepruar, ishte çuditërisht i thjeshtë, në vend të arenës Arles, në aktin I shfaqet një fushë në kohën e korrjeve. Tenori amerikan, Charles Castronovo, që qëndron përkrah sopranos Mula, shfaqet tërheqës në duetet e tyre, një imazh i rafinuar i "Anges du paradis", gjatë së cilës lutet që Mireille të kthehet shëndoshë. Alain Vernhes këndon me karakterin madhështor të babait të Mireille, Ramon, ndërsa Sylvie Brunet të ofron një portretizim të gjallë të magjistares së mirë Taven. Dirigjenti Marc Minkowski, një ekspert barok, tregon një dashuri të qartë për leximin e ndjeshëm që i ka bërë veprës. Mr. Joel mori vetëm pak shprehje mosmiratuese teksa perdja ulej në aktin final, por produksionet nën drejtimin e Mortier provokonin një qëndrim armiqësor të publikut. Vënia në skenë e operës së Wagner "Ring" nga Gunter Kramer që do të fillojë në mars, pritet që të zbusë konservatorizmin. Por tashmë është e qartë që produksionet tradicionale janë të mirëpritura në këtë operë. "New York Times"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›