Antarësimi i Shqipërisë në Proçesin e Barcelonës lehtëson integrimin në NATO dhe BE
-Kryeministri Berisha përshëndet punimet e Seminarit ndërkombëtar “Shqipëria dhe Partneriteti Europian drejt Proçesit të Barcelonës”.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e Seminarit “Shqipëria dhe Partneriteti Europian drejt Proçesit të Barcelonës”.
Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj për t’u anëtarësuar në Proçesin e Barcelonës, ndërsa vlerësoi se antarësimi i Shqipërisë në këtë Proçes lehtëson integrimin e saj në NATO dhe Bashkimin Europian.
“Shqipëria ka dy projekte madhore për këtë shekull si antarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian. Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të arritur kriteret, standardet e domosdoshme për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Shqipëria po bën gjithashtu çdo përpjekje për të zbatuar me seriozitetin më të madh Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe për të shënuar progres thelbësor në proçesin e antarësimit të saj në Bashkimin Europian. Është në bindjen time më të thellë se antarësimi i Shqipërisë në Proçesin e Barçelonës i lehtëson këto dy proçese”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke vlerësuar rëndësinë që ka Proçesi i Barcelonës dhe vlerat që bartin vendet anëtare të saj, Kryeministri tha se ky proçes ka dhe një tjetër funksion tepër të rëndësishëm, një mision drejt përgatitjes së vendeve të Mesdheut drejt kohëve globale.
Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Spanjolle në Tiranë dhe Isntitutin Europian për Mesdheun.
Fjala e Kryeministri Berisha në Seminarin “Shqipëria dhe Partneriteti Europian drejt Proçesit të Barcelonës”:
“Zonja Kryetare e Kuvendit,
Zoti Ministër,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Miq dhe të ftuar,
Është një kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes këtë seminar ndërkombëtar, i cili zhvillohet në kuadrin e nismës së Shqipërisë për t’u antarësuar në Proçesin e Barcelonës. Një falënderim shumë të veçantë dua t’i adresoj qeverisë spanjolle si dhe ambasadorit të saj në Tiranë Zotit Montobbio, për mbështetjen e çmuar që i dhanë që në fillim vullnetit të Shqipërisë për t’u antarësuar në këtë nismë, në Proçesin e Barcelonës.
Ky proçes synon të zhvillojë dhe konsolidojë një nga dimensionet më të rëndësishme të evropianizimit, dimensionin mesdhetar të tij.
Mesdheu është djepi i qytetërimeve të mëdha, të cilat qëndrojnë në themel të qytetërimit të sotëm perëndimor. Kombet e Mesdheut nuk ndajnë vetëm ujërat e tij por ndajnë vlera të mëdha, ndajnë trashëgiminë kulturore më të pasur botërore, ndajnë lidhje të shumta dhe të gjithanëshme historike.
Në këtë kontekst mendoj se Proçesi i Barcelonës merr një rëndësi shumë të madhe jo vetëm në ripërtëritjen e këtyre lidhjeve por dhe në zhvillimin e një dialogu konstruktiv midis brigjeve të detit Mesdhe, dialog ky gjithnjë e më i rëndësishëm në kohën e sotme.
Vendet e Mesdheut ndajnë vlera të mëdha por vlerat më të mëdha janë vlerat e lirisë dhe të demokracisë, ndaj dhe është në misionin e Proçesit të Barcelonës që këto vlera t’i përhapë dhe t’i zhvillojë në të gjithë pellgun e Mesdheut.
Shqipëria ka dy projekte madhore për këtë shekull si antarësimi në NATO dhe në Bashkimin Europian. Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të arritur kriteret, standardet e domosdoshme për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Shqipëria po bën gjithashtu çdo përpjekje për të zbatuar me seriozitetin më të madh Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe për të shënuar progres thelbësor në proçesin e antarësimit të saj në Bashkimin Europian. Është në bindjen time më të thellë se antarësimi i Shqipërisë në Proçesin e Barçelonës i lehtëson këto dy proçese.
Proçesi i Barcelonës ka dhe një funksion tjetër shumë të rëndësishëm, përgatitjen e vendeve tona për kohët globale. Me këtë Proçes vendi ynë fiton dhe një segment të ri për t’u përshtatur në kohën globale.
Dëshiroj të siguroj Qeveritë e vendeve antare të Proçesit të Barcelonës se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj modest dhe të sjellë vlera në këtë proçes, si një vend mesdhetar, si një vend me trashëgimi të madhe të këtij pellgu dhe si një vend me një vizion të qartë evropian.
Dëshiroj t’ju falënderoj për mbështetjen dhe t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta Kryeministrit spanjoll, ministrit të Jashtëm dhe Madhërisë së Tij Mbretit Huan Carlos I”.