E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Zhvillimi i telemjekësisë, një hap përpara drejt Shqipërisë dixhitale

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në Seminarin e dytë Intensiv Balllkanik  për parimet dhe praktikat bashkohore të telemjekësisë dhe shëndetësisë elektronike, të organizuar nga Fondacioni Spitali Virtual Elektronik Ndërkombëtar (IVEH) dhe Ministria e Shëndetsisë, në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit, USAID-in dhe Qendrën Hulumtuese për teknologji të Avancuar dhe Telemjeksi, në SHBA.

Ky seminar, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, shënon fillimin e nismës së Programit të Telemjekësisë, në Shqipëri, nismë e cila do të përfshijë dhe vendin tonë në rrjetin botëror të telemjekësisë.

Aktiviteti, i cili bashkoi ekspertë të rajonit nga fusha e mjeksisë, pati si qëllim njohjen me arritjet më të reja në fushën e telemjekësisë dhe aplikimin e tyre në përmirësimin dhe modernizimin e kujdesit shëndetësor.

Projekti Ballkanik për telemjekësi, synon bashkimin, në një të ardhme të afërt të qendrave mjeksore të Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera ballkanike, në një rrjet të përbashkët, si dhe lidhjen e tyre me qendrat më të njohura mjekësore dhe universitare në Evropë dhe Amerikë.

Duke përshëndetur pjesëmarrësit, kryeministri Berisha u shpreh se përfshirja e Shqipërisë në një nisme të tillë, përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm, në përpjekjet për modernizimin e shërbimeve mjeksore dhe sjelljen  e vendit në moshën dixhitale.

“Shqipëria në moshën dixhitale është absolutisht një nga prioritet më madhore të qeverisë që unë  kryesoj. Çdo vit, ne jemi të vendosur të rrisim invesimet në të gjitha sektorët dhe mua më vjen shumë mirë që ju filloni me këtë seminar. Unë ju siguroj se qeveria do të garantojë të gjithë mbështetjen financiare dhe të gjithanshme për ta shndërruar Shqipërinë në një vend model të telemjekësisë dhe teleshëndetit, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mund të gëzojnë të gjitha kontributet e mëdha të teknologjisë dhe shoqërisë së informacionit.”, u shpreh, Kryeministri

Kryeministri theksoi se  zhvillimi i telemjekësisë, krahas procedurave dhe praktikave të tjera dixhitale ne vend, përbën një mekanizam thelbësor për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj të sëmurëve , si dhe një mekanizëm kryesor për përmirësimin e menaxhimit të institucioneve shëndetsore.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se zhvillimi i telemjekësisë në vend, do të bëjë që ora e Shqipërisë të ecë me orën globale. “Mosha dixhitale, ka rëndësi jetike për çdo vend  por ajo është përcaktuese për të ardhmen, para së gjithash për vendet me kohë të humbura si në Shqipëri.”, tha Kryeministri.

Në këtë kontekst, Kryeministri shtoi se përpjekjet e përbashkëta për telemjekësinë si dhe  në tërësi për procedurat dixhitale, janë përpjekje për të kapur kohën e humbur, dhe për  për të kapërcyer dekadat e prapambetjes së trashëguar nga kjo kohë.

Kryeministri nënvizoi se zbatimi i telemjekësisë në vend përbën një zhvillim të rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit shëndetsor, pasi kjo praktikë u mundëson jo vetëm të sëmurëve të kryeqytetit, por dhe atyre të zonave të thella të Shqipërisë, të përfitojnë nga eksperienca më e mirë e vendit, e rajonit dhe ajo botërore.

Duke falenderuar, qeverinë amerikane për ndihmën e çmuar në hartimin dhe zbatimin e projektve, për një sërë procesesh të dixhitalizuara, Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë të gjitha investimet e nevojshme, që kjo nismë të njohë zhvillime të shpejta në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›